Shkodër, mbytet një varkë me dy peshkatarë në lumin Buna

21/10/2015 21:20

Një varkë me dy peshkatarë në bord është fundosur në lumin Buna rreth orës 20 e 30 minuta të së mërkurës.

Për pasojë, një nga peshkatarët, shtetasi Hyqmet Shatza, 50 vjeç, është mbytur. Ndërsa peshkatari tjetër, shtetasi Isuf Vejuka, 60 vjeç ka arritur të shpëtojë duke dalë vetë nga uji.

Të dy ata kanë qenë duke peshkuar në lumin Bunë, kur varka papritmas është përmbysur nga rrjedha.

Peshkatari i mbijetuar është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia vazhdon kërkimet për gjetjen e trupit të peshkatarit të zhdukur në rrjedhën e lumit.

Top Channel