Fluksi i refugjatëve, udhëheqësit e BE diskutojnë në fundjavë masat e reja

21/10/2015 21:40

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të takohen këtë fundjavë në Bruksel për t’i dhënë drejtim fluksit të refugjatëve, të cilët  përdorin Ballkanin Perëndimor si rrugën tranzit për të hyrë në vendet e BE-së.

Takimi do të zhvillohet në kuadër të zhvillimeve të fundit në rajon, çka ka detyruar mijëra emigrantë të jetojnë në kushte ekstremisht të varfëra pa marrë një përgjigje se ç’do të ndodhë me ta.

Kriza ka shkaktuar edhe një përkeqësim dramatik të marrëdhënieve midis qeverive në rajon. Sllovenia së fundmi po përdor ushtrinë për të shpërndarë refugjatët, duke shkaktuar shqetësim në mesin e diplomatëve në Bruksel.

Ndaj në një përpjekje për të lehtësuar presionin, kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me udhëheqësit nga nëntë vende të tjera dhe zyrtarë të emigracionit të BE-së. Berlin po shqyrton idenë për të përdorur avionë ushtarakë dhe tragete për të transportuar në vendet e origjinës refugjatët, të cilëve iu refuzua kërkesa për azil. Kjo masë mund të ndihmojë në përmbushjen e  zotimeve të bëra nga Merkel për të përshpejtuar largimin e azilkërkuesve që kanë marrë përgjigje negative, një proces ky që merr më shumë kohë shumë kohë në Gjermani sesa në disa shtete të tjera të BE-së.

Numri më i madh i azilkërkuesve të refuzuar vijnë nga Ballkani Perëndimor. Parlamenti gjerman miratoi këtë muaj një ligj ku Shqipëria, Kosova , Serbia dhe Maqedonia jane futur në listën e “vendeve të sigurta”, shtetasit e të cilëve nuk kualifikohen për azil.

E po ashtu, Ballkani Perëndimor është kthyer në rrugën kryesore për refugjatët sirianë në tentativë për të arritur Europën.

Përveç kushteve të përkeqësimit të motit, emigrantët duhet të luftojnë edhe me politikat e parregullta kufitare. Javët e fundit Sllovenia, Kroacia dhe Hungaria kanë hapur dhe mbyllur kufijtë e tyre sipas dëshirës, duke rezultuar në bllokim për të gjithë rajonin.

Shtetet të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samit janë Austria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria Rumania , Sllovenia, Maqedonia dhe Serbia, së bashku me Gjermaninë, e cila është ende destinacioni i preferuar për shumicën e njerëzve që i drejtohen Europes.

Top Channel