Armët bërthamore, Pakistani nuk garanton mospërdorimin e tyre

22/10/2015 05:15

Kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif në takimin me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama do ta njoftojë këtë të fundit se Islamabad nuk do të premtojë se nuk do të përdorë armët e vogla bërthamore.

Pakistani insiston se këto armë mund të parandalojnë një sulm të papritur nga fqinji  i tyre India, që tashmë është një fuqi bërthamore.

Por, Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se këto armë mund të destabilizojnë edhe më tej rajonin, sepse madhësia e tyre i bën shumë më të përshtatshme për t’i përdorur.

Sharif dhe Obama do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa një zyrtar i lartë ka njoftuar se SHBA-të po përgatiten që t’i shesin Pakistanit 8 avionë luftarakë F-16 në përpjekje për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pavarësisht shqetësimeve të Uashingtonit për arsenalin bërthamor në rritje te Pakistanit.

Shtetet e Bashkuara duan garanci që Pakistani nuk do të përdorë armët bërthamore të njohura si TNW, mirëpo Islamabad kërkon që t’i lejë mundësitë e hapura, pasi mendojnë se rrezikohen nga India.

Top Channel