Gjermania nxiton të dëbojë azilkërkuesit

22/10/2015 11:15

Qeveria gjermane po nxiton të dëbojë azilkërkuesit e refuzuar, e për këtë qëllim mund të përdorë edhe avionët e mëdhenj të transportit të Bundeswehr-it. Deri tani, kthimi i refugjatëve ishte realizuar me avionë linje apo “charter”, ndërsa disa lande e kishin si rregull të mos kryenin riatdhesime gjatë stinës së ftohtë.

Por duket se nga ky vit, një politikë e tillë nuk do të ndiqet më. Pjesa më e madhe e parlamenteve rajonale janë shprehur pro organizimit të kthimeve edhe edhe në muajt e dimrit, e në këtë pikë duket se nuk ka më asnjë mospërputhje mes tyre dhe qeverisë federale.

Raportet në mediat vendase tregojnë se nën drejtimin e koordinatorit për refugjatët, Peter Altmeier, dhe ministrit të Brendshëm Thomas de Maiziére, planet për ngritjen e zonave të tranzitit në kufi janë duke avancuar, ndërsa po zhvillohen bisedime me vendet e origjinës për riatdhesimin e shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar në Gjermani. Regjistri i të huajve tregon se në pritje të ekstradimit janë sot rreth 190.000 refugjatë. Gati dy të tretat e tyre kanë statusin “Duldung” (leje e përkohshme afatshkurtër qendrimi) dhe tani ky status sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, do të rishqyrtohet.

Po ashtu, nuk do të ketë më paralajmërim për t’u larguar vullnetarisht nga Gjermania me qëllimin të shmanget mundësia që dikush të fshihet. Nuk është diskutuar ende ndërkohë lidhur me idenë që të mos merren më aq shumë parasysh raportet mjekësore për paaftësi për të udhëtuar. Por, në rast se një person ka humbur pasaportën nuk do të ketë më pengesë për ekstradim nga Gjermania.

Në vend të saj, personat në fjalë do të pajisen me një pasaportë të përkohshme, e në përgjithësi, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, bashkëpunimi në këtë situatë me vendet e Ballkanit Perëndimor po shkon mirë.

Top Channel