Kriza e Red Bullit, Marko është i bindur se do të zgjidhet

22/10/2015 13:45

Red Bulli do të jetë në gjendje që të kalojë krizën që e ka mbërthyer. Është i bindur për këtë Helmut Marko, i cili deklaroi se çështja e gjetjes së furnizuesve me motorë për vitin e ardhshëm do të mbyllet në Çmimin e Madh të Teksasit. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë Red Bulli do të braktisë Botërorin.

Por, problemi në këtë pikë qëndron se Red Bulli nuk ka shumë opsione. Mercedes dhe Ferrari refuzuan të hynin në bashkëpunim të plotë me të, ndërkohë që në skenë shfaqet dhe Honda. Drejtuesit e saj e përjashtuan mundësinë që në vitin 2016 të furnizojnë edhe një skuadër të dytë me motorë. Sipas asaj që publikohet te “Autosprint”, shpresat për një bashkëpunim të tillë gjithsesi ekzistojnë, pasi Red Bulli mund ta ndihmojë kompaninë japoneze të punojë për zhvillimin e motorit hibrid.

Por mesa duket opsioni më i përshtatshëm për momentin për Red Bullin është përmirësimi në një farë mënyre i raporteve me Renault. Marko deklaroi se në Teksas do të zhvillohet një takim dhe se ai beson se më në fund do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje. Mësohet se ka shumë të ngjarë që Red Bulli të vazhdojë të garojë me motorët Renault, ndërsa Toro Rosso me motorët specifikë Ferrari të vitit 2015.

Top Channel