Reshjet e shiut përmbytin rrugët e Beratit

22/10/2015 16:15

Përmbytjet në rrugë janë rikthyer sërish ditën e enjte në qytetin e Beratit. Pas reshjeve intensive të orëve gjatë gjithë ditës, disa nga rrugët kryesore të qytetit janë përmbytur krejtsisht.

Situata më problematike është paraqitur sërish në aksin rrugor nga “Agjencia” në drejtim të stadiumit të ri.

“Kthesa e Gjykatës”, “Stadiumi i Vjetër”,  por dhe rrugë të tjera në hyrje pranë urës së “Goricës”, janë përmbytur krejtësisht nga uji që ka vërshuar në rrugë. Kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu në qytetin e Beratit.

Ndërkohë, reshjet e ditës së enjte shkaktuan përmbytje edhe në qytetin e Pogradecit. Pesë familje në qytetin e Pogradecit në orët e para të mëngjesit janë gdhirë në mes të ujit, i cili ka përmbytur banesat e tyre.

Banorët me fëmijë mes të cilëve një foshnje tre muajshe kanë mbetur në qiell të hapur pasi ambientet ku ata jetonin janë mbuluar nga uji, i cili u ka shkatërruar gjithë pajisjet e shtëpisë.

Përveç këtyre familjeve ujërat e shumtë kanë vërshuar edhe në rrugët e qytetit duke sjellë vështirësi për kalimtarët dhe mjetet.

Top Channel