Haradinaj: Nuk do të ketë seancë, nëse qeveria nuk reflekton

22/10/2015 00:00

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj konfirmon këmbënguljen e partive opozitare, që të mos lejojnë mbajtjen e seancës parlamentare, të ftuar për të premten në orën 16:00.

Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj tha se deputetët e opozitës nuk do ta bojkotojnë seancën, por do të shkojnë në Kuvend dhe do ta bllokojnë sërish mbajtjen e saj, ndërsa për mjetet që do të përdorin tha se mbetet të shihen të premten.

“Më vjen keq që Qeveria nuk ka reflektuar dhe që Kryesia e Parlamentit ka vepruar gabim duke thirrur seancë për nesër. Ne do të jemi nesër në Parlament, por seanca nuk do të mbahet. Metodat ose mënyra sesi do të veprojmë mbetet për t’u parë nesër. E vetmja gjë që dihet është se, sikundër deri më tani, seancat s’kanë për t’u mbajtur”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Duke folur për përpjekjet e Presidentes për të gjetur një zgjidhje për krizën politike, Ramush Haradinaj tha se opozita tanimë e ka paraqitur ofertën e saj për daljen nga kriza.

“Tërheqja nga marrëveshjet do të rezultojë me mbarëvajtje të Parlamentit, me jetë institucionale të zakonshme, me opozitarizëm të zakonshëm. Pra, ne kemi ofertë. Jemi të habitur me kryeneçësinë e kryeministrit Mustafa”, tha më tej Ramush Haradinaj.

Haradinaj nuk ka dashur të komentojë deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili më herët gjatë ditës tha se, deputetët opozitarë po rrezikojnë izolimin e Kosovës dhe shtyrjen e liberalizimit të vizave.

Haradinaj u shpreh se, pavarësisht respektit që opozita ka për ndihmën e ndërkombëtarëve, kauza do të vazhdojë deri në tërheqjen e marrëveshjes. E për këtë, Haradinaj tha se po përgatisin edhe një protestë të madhe, e cila do të mbahet në Prishtinë.

“Ne jemi në përgatitje e sipër dhe kemi kryer më shumë se gjysmën e punës për një protestë vendimtare në Prishtinë, me të cilën do t’ia pamundësojmë me të vërtetë qeverisë zbatimin dhe funksionimin normal të mëtejshëm. Do të jetë pak vonë për qeverinë, në rast se vijnë qytetarët në Prishtinë. Do të jetë vonë edhe që të tërhiqet nga marrëveshjet. Pra, është mirë që të mos e testojnë më tutje dhe mos ta shtyjnë gjendjen në përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Ramush Haradinaj.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit ka folur edhe për debatin e ashpër virtual mes tij dhe kryeministrit Isa Mustafa, në Facebook, ku kreu i qeverisë i ka përmendur disa krime, që supozohen se janë kryer gjatë luftës në liqenin e Radoniçit, në zonën ku komandant ka qenë Haradinaj.

“Unë jam i filtruar prej instancave më të larta të ligjit ndërkombëtar pikërisht për këtë çështje. Ligji ndërkombëtar, gjykata më e lartë në botë që ekziston për këto tema, i ka gjetur fajtorët për ato gjëra që ka përmendur ai. Janë dy gjeneralë serbë, Lazareviç dhe Gjorgjeviç, të cilët kanë jetuar në Prishtinë edhe në kohën kur kryeministri ka qenë funksionar. Kështu që, ky mund t’i ketë njohur apo mund të ketë bashkëpunuar me ta. Pikërisht fajtorët për ato tema janë gjetur, ndërsa është për habi, që kryeministri i vendit tim i lejon vetes sjellje të tilla”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Haradinaj tha se mbyllja e profilit të kryeministrit në Facebook, me arsyetimin se dikush e ka keqpërdorur atë, duhet të hetohet dhe vërtetohet nga organet e drejtësisë në vend.

Top Channel