Raportuesi në PE Fleckenstein, vizitë 4-ditore në Shqipëri

22/10/2015 16:35

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti këtë të enjte raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, ku u diskutuan sfidat e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në këtë kuadër kreu i Kuvendit theksoi se duhet përfunduar sa më shpejt procesi i dekriminalizimit për t’i hapur rrugë fokusimit të plotë në reformën e sistemit të drejtësisë, proces i cili kërkon gjithpërfshirje dhe qëndrueshmëri.

“Në të dy proceset, ne vlerësojmë kontributin dhe opinionet e Komisionit të Venecias”, tha Meta.

Nga ana e tij, Raportuesi, Knut Fleckenstein u shpreh se PE e vlerëson progresin e Shqipërisë dhe mbetet në pritje të progresraportit të Komisionit, i cili pritet të ofrojë vlerësime pozitive dhe rekomandime të mëtejshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, ku thelbësore do të jetë reforma në drejtësi.

Në përfundim, Meta nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me PE në mbështetje të dialogut konstruktiv politik në vend dhe në nxitje të reformave kyçe që nevojiten për forcimin e shtetit ligjor dhe për mirëqeverisjen ekonomike.

Në takim me Ilir Metën, Fleckenstein shoqërohej nga Ambasadorja së Bashkimit Eiropian në Shqipëri Romana Vlahutin.

Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai takoi ministrin Saimir Tahiri, me të cilin foli mbi reformat e deritanishme të ndërmarra nga mazhoranca dhe punën për plotësimin e angazhimeve në kuadër të integrimit europian.

Fleckenstein u takua edhe me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, me të cilën u bisedua në lidhje me pritshmëritë për progresraportin, që pritet të publikohet së shpejti, metodologjinë e re të tij dhe ecurinë e 5 prioriteteve, që Shqipërisë i janë lënë nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave.

Top Channel