Kombëtarja shqiptare e femrave mposhtet nga Greqia

22/10/2015 00:00

Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll i ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme kualifikueset e “Euro 2017”, duke u mposhtur 1-4 nga Greqia në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.

Greqia e vendosi ndeshjen që në pjesën e parë duke shënuar 3 gola, ndërsa pësoi vetëm një. Ishte minuta e 14 e ndeshjes kur kombëtarja greke e femrave arriti të kalojë në avantazh pas një gabimi fatal të portieres sonë, Marigona Zani.

Momenti i vetëm i mirë i kombëtares shqiptare ishte në minutën e 23-të, kur Kujtime Kurbogaj barazoi shifrat, duke shfrytëzuar pasimin e Morinas. Rrjeta e parë për sulmuesen e re në dy ndeshje të luajtura me Shqipërinë. Por, festa zgjati fare pak, pasi gjithçka më pas foli për Greqinë, e cila shënoi edhe dy gola të tjerë në 45 minutat e para. Vaso Kydonaki shënoi nga rreth 35 metra pas një goditje potente, ndërsa goli i tretë u shënua nga Sidiran në minutën e 37.

Në 45 minutat e dyta, Rraklli provon të ndryshojë duke aktivizuar Serenaj dhe Gjylin. Shqipëria provoi me të gjitha mënyrat për të shkurtuar diferencën, por pa e arritur qëllimin. Madje 8 minuta para përfundimit të ndeshjes ishin sërish miket nga Greqia ato që shënuan edhe golin e katërt me anë të kundërsulmit, duke vulosur suksesin e parë në këto eliminatore dhe humbjen e parë për kombëtaren tonë.

Top Channel