Përdorimi i marijuanës, dyfishim të çrregullimeve

22/10/2015 00:00

Ndërkohë që sjelljet dhe ligjet në SHBA po bëhen gjithnjë e më tolerante ndaj marijuanës, numri i të rriturve që e përdorin dhe abuzojnë me substancën narkotike thuajse është dyfishuar që nga viti 2001 deri në 2013-n, sipas një studimi të fundit.

Edhe pse varësia ndaj marijuanës dhe abuzimi me të rezulton të jetë gjithnjë e në rritje, kjo vjen kryesisht për shkak të rritjes të përdoruesve të rinj në përgjithësi, theksojnë studiuesit, ndërkaq përdoruesit ekzistues të kësaj lënde narkotike kanë përjetuar një rënie me 15% të çrregullimeve me prejardhje nga hashashi.

Rreth 4 për qind e të rinjve të viteve 2001 dhe 2002 raportohen të kenë përdorur marijuanë gjatë vitit të kaluar, krahasuar me rreth 10 për qind të të rinjve të viteve 2012-2013. Gjithashtu, 1,5 për qind kanë abuzuar ose kanë pasur probleme varësie dhe çrregullime të lidhura me përdorimin e marijuanës në fillim të shekullit të XXI-të, krahasuar me 3 për qind të të rinjve gjatë viteve 2012-2013.

Ajo që është thuajse e qartë, është se prevalenca e përdorimit të marijuanës mes të rinjve dhe të rriturve është dyfishuar apo edhe më shumë sesa kaq”, tha Deborah Hasin, autorja kryesore e studimit, nga Universiteti i Kolumbias në Nju Jork.

Deri më tani, 23 shtete të Amerikës e lejojnë përdorimin mjekësor të marijuanës, ndërsa 4 prej tyre lejojnë edhe përdorimin rekreativ të saj thonë studiuesit në “JAMA Psychiatry”. Ndërkaq është rritur edhe numri i amerikanëve që dalin në favor të legalizimit të marijuanës, në krahasim me vitet e mëparshme, ose e thënë ndryshe janë më të paktë ata që e shohin substancën si të rrezikshme.

Sa i përket studimit, janë krahasuar të dhënat e intervistimeve kokë më kokë me mbi 43 mijë të rinj dhe të rritur amerikanë të viteve 2001 dhe 2002, me të dhënat e intervistimeve të mbi 36 mijë njerëzve të mbledhura në vitet 2012-2013.

Top Channel