Kerry takohet me Netanyahun në Berlin, thirrje kundër nxitjes së dhunës

22/10/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka bërë thirrje për t’i dhënë fund nxitjes, pasi një valë e gjerë dhune mes izraelitëve dhe palestinezëve vijon në Lindjen e Mesme.

Kryediplomati amerikan është takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Berlin. Udhëheqësi i Izraelit fajëson palestinezët për shpërthimin e trazirave.

“Nuk ka aspak dyshim se, kjo valë sulmesh është e drejtuar drejtpërdrejt nga nxitjet e Hamasit dhe lëvizjeve islamike në Izrael, por – më vjen keq ta them, – edhe nga Presidenti Abbas i Autoritetit Palestinez”, tha Netanyahu.

Duke folur për reporterët së bashku me Netanyahun, Kerry tha se “është absolutisht kritike dhe e domosdoshme t’i jepet fund nxitjes së çdo lloj forme të dhunës, si dhe për të gjetur një rrugë drejt krijimit të mundësive, të cilat deri më sot nuk ekzistojnë, për një proces edhe më të gjerë”.

Të paktën 9 izraelitë kanë humbur jetën nga sulmet me thika të palestinezëve, ashtu sikurse dhe nga të shtënat dhe sulmet me automjete, që prej fillimit të muajit tetor. Ndërkohë 48 palestinezë, përfshi edhe 24 agresorë, janë vrarë nga forcat izraelitë të sigurisë.

Tensionet në lidhje me kompleksin e xhamisë së al-Aqsasë në qytetin e vjetër të Jeruzalemit është njëra prej shkaqeve të trazirave të fundit.

Kompleksi konsiderohet si vendi më i shenjtë i Islamit jashtë Arabisë Saudite dhe nderohet gjithashtu edhe nga hebrenjtë, si vendndodhja e dy tempujve antikë hebraikë.

Netanyahu është zotuar se do të ruajë “status quo”-në prej disa dekadash në këtë kompleks, sipas të cilit ndalohen hebrenjtë të luten atje, ndërkohë që mohon pretendimet e palestinezëve se ai synon të ndryshojë këtë marrëveshje.

Top Channel