Mandati i Frrokut, raporti i Komisionit i shkon Kushtetueses, PD kundër

22/10/2015 18:45

Parlamenti miratoi me 74 vota “pro” dhe 14 “kundër”, raportin e Këshillit të Mandateve për çështjen “Frroku”. Sipas raportit, Parlamenti i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 71, pika 2 e Kushtetutës që flet për mbarimin e mandatit të deputetit kur ai mungon për një periudhë 6-mujore.

Edhe pse vendimi i Këshillit të Mandateve dy ditë më parë ishte konsensual, demokratët kërkuan në këtë seancë që përmes votimit të shprehej fillimisht për mbarimin e mandatit të deputetit kristian-demokrat e më pas çështja të shkonte për interpretim në Kushtetuese.

Arben Ristani, deputet i PD: Sigurisht që çështja mund të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, por pasi ky Parlament të bëjë interpretimin e tij origjinal. Për ne është e qartë që shkaku i mungesës është shkak ligjor, pra është me vendim gjykate, dhe duke qenë shkaku i mungesës ligjor ajo nuk mund të jetë e arsyeshme.

Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së: Vaj medet me këtë opozitë. Në emër të tyre në këtë Këshill, zoti Ristani, i cili citoj: “Mua më duket shumë e arsyeshme dhe jam dakord t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”. Më fal zotëri Ristani por andej nga je ti dhe unë i thonë “qeni i rrahur që kulish, nuk bëhet dot qen stani”. Të kanë vendosur që të bëhesh “qen stani”, jo “kulish”.

Arben Ristani, deputet i PD: Tek e fundit, debati ishte mes nesh të ndjekim atë rrugë apo mos ta ndjekim. Qëndrimi i konsoliduar që duam të mbajmë në seancë është ky që e shpreh, gjithsesi unë besoj që debati ishte tërësisht njerëzor. Unë kam punuar dhe jetuar me zotëri njerëz, nuk kam qenë ndonjëherë në botën e qenve. Kam mësuar edhe një gjë që jo çdo qeni që të del përpara duhet t’i biesh me gurë sepse humb kohën.

Ilir Meta, kryetar i Kuvendit: Ju lutem, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me rastin e deputetit në fjalë, por kemi të bëjmë me zgjidhjen kushtetuese të këtij rasti që mund të shërbejë si preçedent edhe për rastet tjera në të ardhmen. Kështu që qëndrimin politik ju mbajeni, por këtu kemi të mbajmë me një qëndrim procedurial.  
 
Përgjigjja që duhet të japë tani Gjykata Kushtetuese është nëse mungesa e Mark Frrokut në Parlament për periudhën 6-mujore është apo jo pa arsye, në kushtet kur ai ka masën e sigurisë “arrest me burg” dhe kur ai ka kërkuar që deri në vendimin e formës së prerë të gjykatës të lejohet të marrë pjesë në veprimtaritë parlamentare.

Nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese do të varet ndërprerja apo jo e mandatit të Mark Frrokut.

Top Channel