KLSH, letër Metës; Leskaj: Gati të vij në interpelance për auditin

22/10/2015 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit i është drejtuar Kuvendit me një shkresë për raportin auditues pranë Ministrisë së Energjetikës, për mbylljen e marrëveshjes me CEZ-in.

Institucioni i drejtuar nga Bujar Leskaj i rekomandon Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm ekspertësh nga ana e Parlamentit. Leskaj kërkon gjithashtu të dëgjohet në një seancë të posaçme dëgjimore, në të cilën KLSH do të raportojë në lidhje me këtë auditim.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Energjetikës u shoqërua me padi ndaj ministrit Damian Gjiknuri dhe avokates së Shtetit, Alma Hiçka, me pretendimin e një dëmi të madh financiar nga marrëveshja e përmbyllur me CEZ-in. Dëmi i pretenduar nga KLSH-ja është 479 milionë euro.

Raporti shkaktoi gjithashtu debate të ashpra politike. Mazhoranca i cilësoi këto gjetje të KLSH-së vetëm si renditje të akuzave të opozitës. Ndërsa kjo e fundit e pa raportin, si vërtetues të akuzave të saj ndaj qeverisë dhe ministrit Gjiknuri.

Në këtë shkresë, KLSH gjen rastin të sqarojë se, metodologjia e ndjekur prej saj në auditim është ligjore dhe e argumentuar, ndaj kërkon mundësinë e përballjes së këtyre fakteve edhe në Parlament.

Top Channel