Kongresi i PS do të zhvillohet, pavarësisht përplasjes me Kokëdhimën

22/10/2015 00:00

Socialistët janë të vendosur ta zhvillojnë Kongresin e tyre në janar, pavarësisht ndonjë sugjerimi të dhënë javën e shkuar për shtyrje. Debatet janë zhvilluar në një mbledhje me dyer të mbyllura, ku deputeti Koço Kokëdhima mësohet të ketë kërkuar shtyrjen dhe zhvillimin e kongresit në një tjetër kohë.

“Partia Socialiste po punon fort me gjithçka që ka të bëjë me organizimin e brendshëm dhe një kontakt të ri për hapjen e saj, për zgjerimin e radhëve të saj përmes anëtarësimeve të reja. Është një proces, ku e rëndësishme është të jetë i vërtetë dhe i tillë është. Ne do të respektojmë të gjithë vendimmarrjen e strukturave të PS-së. A do të mbahet në janar? Di që po punohet fort dhe me seriozitet”, u shpreh Lindita Nikolla, koordinatore e PS-së për Lezhën dhe Dibrën; njëkohësisht ministre e Arsimit dhe Sportit.

“Asambleja Kombëtare ka marrë vendimin për këtë çështje dhe besoj se çdo gjë do të jet ënë përputhje me parashikimet”, deklaroi Ditmir Bushati, koordinator i PS-së për Shkodrën dhe Kukësin; njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Vetë deputeti Kokëdhima nuk u prononcua, ndërsa deputeti Ervin Bushati shprehet se, vëmendja duhet të përqëndrohet në problematikat e përditshme të qytetarëve dhe jo në jetën e brendshme të një force politike.

“Qytetarët duhet të jenë më shumë të interesuar sesi po qeveriset, çfarë propozimesh kemi dhe si mund të përmirësohet gjithçka në lidhje me qeverisjen e sotme. Mënyra sesi funksionon partia mendoj se është thjesht një çështje e brendshme e partisë”, u shpreh Ervin Bushati, deputet i PS-së.

Olta Xhaçka shpjegon risinë e këtij Kongresi.

“Për herë të parë, gratë do të përfaqësohen me 50% si delegate në Kongresin e partisë. Partia Socialiste do të përfitojë shumë, ashtu sikurse dhe shoqëria shqiptare, nga kjo risi e Partisë Socialiste për një përfaqësim më të mirë të grave. Kongresi do të jetë një moment shumë i rëndësishëm”, tha deputetja Olta Xhaçka, kryetare e Forumit të Gruas Socialiste.

Vetë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi thotë se, vendimet e Asamblesë socialiste janë të pandryshueshme.

“Ua kemi dhënë përgjigjen në korrik gjatë Asamblesë Kombëtare, kështu që s’ka përgjigje tjetër për këtë. Asambleja socialiste ka vendosur të gjithë axhendën politike dhe organizative për fushatën e zgjedhjeve të Partisë Socialiste. Të tjerat janë telenovela gazetash”, tha socialisti Gramoz Ruçi, kryetar i socialistëve në Parlament.

Top Channel