“Drejt fundit” është filmi shqiptar me regji dhe skenar të Drilon Hoxhës, i cili u shfaq sot premierë në kryeqytet.

“Bëhet fjalë për jetën e këtyre viteve të fundit në Shqipëri. Që do të thotë se njerëzit nuk kanë më shpirt dhe as ndjenja, por e vetmja gjë ku u ka mbetur mendja janë lekët”, tha Drilon Hoxha, regjisor e skenarist.

Gjinia e filmit është aksion dhe komedi e zezë. Në qendër të tij është një djalë, interpretuar nga Drilon Hoxha, i cili kërkon të fitojë parà shumë dhe menjëherë, duke hyrë kështu në situata të errëta.

“Nuk është e hijshme kjo gjë, ndaj dhe është ‘drejt fundit’. Drejt fundit i çon ky person të gjithë njerëzit që ka përreth vetes”, shtoi më tej Drilon Hoxha.

Sa u përket personazheve të interpretuar nga aktorë të tjerë:

“Zgjedhja ime nuk është përqëndruar tek aktorët e famshëm. Më duheshin të gjithë fytyra të pazbuluara, sepse vetë gjinia e filmit aksion nuk të jep atë ndjesinë të të parit të një aktori me emër, sepse nuk do të shihnim filmin por do mendonim hajde të shohim aktorin. Kemi edhe aktorë shumë të mirë dhe me emër, si Mehdi Malkaj, kemi të njohur gjithashtu, por asnjëherë të parë në aktrim si Silvana Braçe, një nga prezantueset dhe ikonat e mbetura të televizionit. Por, të gjithë njerëzit do të befasohen kur të shohin Silvën në një rol, që për mua është aktruar në mënyrë perfekte”, deklaroi Drilon Hoxha.

Nga sot, filmi “Drejt fundit” do të shfaqet në të gjitha kinematë e Tiranës.

Top Channel