Kukan: Dekriminalizimi, kusht për negociatat

22/10/2015 00:00

Lulzim Basha i kërkoi grupimit politik europian ku bën pjesë, Partive Popullore Europiane, që të mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm Shqipërinë, sepse – sipas tij, – Qeveria e Tiranës po shkel standardet themelore demokratike dhe po bashkëqeveris me persona të inkriminuar.

Edhe në takimet me drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian dhe të Komisionit Europian, që i përkasin Partive Popullore Europiane, Lulzim Basha denoncoi zvarritjen e dekriminalizimit nga qeveria dhe pasurimin e klaneve kriminale nëpërmjet fondeve dhe pasurive publike.

Shqetësimin e Lulzim Bashës e reflektoi Eduard Kukan, që ndërmjetësoi 10 muaj më parë marrëveshjen e dekriminalizimit.

“Dekriminalizimi duhet të merret shumë seriozisht dhe të zgjidhet. Kjo ishte marrëveshja, që ne ndërmjetësuam. Ne nuk duhet të lejojmë, që çështja e dekriminalizimit të harrohet. Zoti Fleckenstein është sot në Tiranë. Kur të kthehet, ne do të diskutojmë së bashku sesi mund të ndihmojmë për këtë proçes, për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri që të trajtojnë këtë çështje. Fatkeqësisht, ju keni gjithnjë nevojë për mbështetjen nga jashtë. Ne jemi këtu për t’iu ndihmuar, sepse duam shumë që Shqipëria të ketë një datë për hapjen e negociatave, por së pari duhet zgjidhur çështja e dekriminalizimit. Jemi informuar së fundmi edhe për çështjen e mandatit të zotit Frroku. Si gjithnjë ka përpjekje për të gjetur justifikime për ngadalësimin e procesit. Duhet t’i jepet fund njëherë e mirë”, tha eurodeputeti Kukan.

Pothuajse një vit pas marrëveshjes ende të pazbatuar për dekriminalizimin, Eduard Kukan mbështeti qëndrimin e Gjermanisë se, dekriminalizimi është një kusht i panegociueshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ndaj unë thashë se Shqipëria mund të ecë përpara, vetëm nëse zgjidhet dekriminalizimi. Jo në mënyrë të pjesshme, por tërësore dhe sistematike. Është shumë e rëndësishme, që Gjermania mbështet përmbylljen e çështjes së dekriminalizimit. Nëse zgjidhet çështja e dekriminalizimit dhe reforma e drejtësisë, atëherë kjo do të jetë vërtet një hap përpara për Shqipërinë dhe, atëherë ambiciet e Shqipërisë mund të jenë të larta dhe asnjë nuk do të bëhet pengesë në këtë rast”, deklaroi eurodeputeti Eduard Kukan.

Top Channel