Putin: Assad, i hapur për të punuar me rebelët opozitarë

22/10/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë të ditur se homologu i tij sirian, Bashar al-Assad, i ka rrëfyer atij gatishmërinë për të biseduar me grupet e armatosura të opozitës, nëse ata janë me të vërtetë të angazhuar për dialog dhe për të luftuar Shtetin Islamik.

Duke folur vetëm një ditë pas vizitës surprizë të Assadit në Moskë, për bisedime me Putinin dhe nënvizimin e rolit të ri të Moskës si një ‘lojtar’ kyç në konfliktin sirian, Putin tha se të dy krerët e shteteve kishin biseduar mbi nevojën për një zgjidhje politike.

Disa qeveri perëndimore e kanë portretizuar Rusinë si një pengesë në marrëveshjen e mundshme politike, sidomos që prej nisjes së sulmeve ajrore kunër grupeve islamike në Siri që kundërshtojnë Assadin, përfshi edhe disa prej tyre të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Por, Putin u shpreh besimplotë se, operacioni ushtarak në Siri mund të krijojë kushtet e duhura për progres në bisedimet për të ardhmen e vendit të Lindjes së Mesme.

“Do të bëj të ditur vetëm pak nga bisedimet e mia me Presidentin Assad”, tha Putin gjatë një forumi rus në qytetin rezort të Sochit, gjatë pasdites së të enjtes. “I kam kërkuar atij opinion në lidhje mundësinë, nëse sot në Siri do të mund të gjendeshim përballë një opozite të armatosur, e cila gjithsesi është e gatshme të kundërshtojë dhe të luftojë realisht terrorizmin, sidomos Shtetin Islamik; si dhe cili do të ishte mendimi i tij nëse edhe rusët do të mbështesnin përpjekjet e opozitës në luftën kundër Shtetit Islamik në të njëjtën mënyrë siç po ndihmojnë ushtrinë siriane. Ai më është përgjigjur vetëm me një togfjalësh të shkurtër: është diçka pozitive”, tha Putin referuar Assadit.

Ndaj dhe presidenti rus, siç deklaron vetë, i kishte thënë homologut sirian se do ta mendonin edhe këtë mundësi dhe, nëse do të mund të funksiononte diçka, atëherë do të bënin gjithçka për të arritur këto marrëveshje”.

Putin u shpreh gjithashtu se në thelb të konfliktit sirian nuk është vetëm militantizmi islamik, por edhe tensionet e brendshme; një njohje kjo se, të paktën disa prej njerëzve që janë rebeluar kundër regjimit të Assadit kanë pasur arsye legjitime për t’u irrituar.

Rusia ka refuzuar thirrjet e Perëndimit për largimin e Assadit nga pushteti. Të enjten, Putin përsëriti edhe njëherë pikëpamjen e tij se, udhëheqësia e Sirisë mund të vendoset vetëm nga populli sirian, jo prej fuqive të jashtme, si dhe përmes zgjedhjeve transparente.

Top Channel