Aksident në minierën e Bulqizës, vdes një minator, plagoset një tjetër

22/10/2015 00:00

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 19:30 me pasojë vdekjen e një minatori dhe plagosjen e një tjetri në një nga galeritë e minierës së Bulqizës.

Aksidenti ndodhi në pjesën qendrore të kësaj miniere në zonën D, e cila administrohet nga një firmë private.

Sipas burimeve nga kjo miniere, mësohet se minatori quhet Izet Keta 63 vjeç, i cili punonte përgjegjës turni, ku dhe ka gjetur vdekjen, ndërsa është plagosur rënde minatori Agron Daxha.

Ndërkohë ngjarja konfirmohet edhe nga policia lokale, sipas të cilës aksidenti i rëndë ndodhi në një nga galeritë private të zonës D, ku 63-vjeçari Keta, i cili ka humbur jetën po punonte me minatorin Daxha për nxjerrjen e kromit.

Sipas policisë, të dy minatorët kishin fraktura në kokë. Dyshohet të jetë shkëputur një masiv minerali kromi duke i zënë poshtë.

Ngjarja e rëndë është pikasur më pas nga minatorët e tjerë, ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e dy minatorëve, fatkeqësisht minatori Izet Keta nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të rënda, ndërsa minatori tjetër është dërguar me urgjencë për në Spitalin e Bulqizës, ku dhe i është dhënë ndihma e parë. Ndërsa trupi i minatorit të vrarë është dërguar në morgun e Spitalit të Bulqizës për t’i bërë autopsinë.

Ndërkohë, mësohet nga Policia e Bulqizës se është ngritur grupi hetimor për rastin e këtij aksidenti të rëndë. Burime nga policia bëjnë me dije se në komisariat janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes. Për rastin e kësaj ngjarje të rëndë pritet të zbardhet edhe nga grupi i RISHM-it, të cilët kanë ardhur nga Tirana, ku do cilësohen dhe shkaqet e aksidentit.

Top Channel