Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, Alexander Karpushin, në një intervistë për Top Channel ka thënë se fjalën e fundit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO duhet ta thotë populli dhe jo qeveria, duke propozuar një referendum për këtë çështje.

Karpushin deklaroi se përshpejtimi i procesit për integrimin e Malit të Zi në strukturat Euro-Atlantike e çojnë këtë shtet tek polarizimi politik dhe ideologjik i shoqërisë civile, që për pasojë mund të ketë probleme ekonomike dhe sociale.

Ambasadori rus gjithashtu tha se vendi i tij dëshiron të ketë të njëjta marrëdhënie edhe me Shqipërinë, pavarësisht dallimeve që mund të kenë të dy vendet për disa çështje të caktuara.

Ai përmendi marrëdhëniet me Turqinë, që ashtu si Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, si model bashkëpunimi mes dy shteteve.

Intervista e plotë 

TCH: Do doja ta nisja me një pyetje lidhur me deklaratën që është bërë një ditë më parë nga kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç i cili ka deklaruar se protestat në Mal të Zi po mbështeten nga Rusia dhe se objektivi politik e strategjik i Rusisë është bllokimi i Malit të Zi për të qenë pjesë e NATO-s dhe të vendeve të Ballkanit. Si e komentoni këtë deklaratë?

Alexander Karpushin, ambasador i Federatës Ruse në Tiranë: Është e njohur që policia malazeze, duke përdorur mjete speciale ka shkatërruar kampin e tendave të opozitës që ka zhvilluar protestë përpara Parlamentit. Disa persona, duke përfshirë dhe deputetë të Parlamentit janë ndaluar, disa janë të plagosur dhe për këto ngjarje mund të ndihet vetëm keqardhje. Por, unë mund t’ju siguroj që Rusia nuk ka lidhje me këto ngjarje, as me protestat, as me shkatërrimin e kampeve të opozitës. Moska gjithmonë ka nënvizuar se Rusia është e interesuar për një Mal të Zi të qëndrueshme dhe të suksesshëm në zhvillim. Në të njëjtën kohë është e qartë që procesi i integrimit të këtij vendi në strukturat Euro-Atlantike dhe përshpejtimi i këtij procesi, nuk çojnë tek konsolidimi dhe tek prosperiteti. Në të kundërt, e çojnë tek polarizimi politik dhe ideologjik i shoqërisë civile dhe rëndojnë problemet ekonomike dhe sociale. Dua ta përsëris edhe njëherë që Rusia nuk ka lidhje me këto ngjarje. Mendimi im është që në situata kaq pikante politike qe kemi në Mal të Zi është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i opozitës dhe ndoshta është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një referendum për integrimin Euro-Atlantik. Mund t’ju them se Rusia në të vërtetë ka interesat e veta në Mal të Zi, sepse dy shtetet tona janë të lidhura ngushtë me marrëdhënie tregtare, ekonomike, humanitare, kulturore që janë në zhvillim prej vitesh. Dua t’ju bëjë me dije edhe ju që Rusia ka bërë investime të shumta direkte në fusha të ndryshme të ekonomisë së Malit të Zi. Sidomos në turizëm, në ndërtim, në pasurinë e paluajtshme. Ka një fluks të madh të turistëve dhe ky numër është gjithmonë në rritje. Dhe pjesa e dytë e pyetjes është absolutisht e palogjikshme. Ideja që interesat e Rusisë mund të ngrenë këtë valë protestash, është në kundërshtim me këto investime dhe ato që ka thënë kryeministri malazez nuk janë të vërteta. Është e qartë që çdo tronditje brenda vendit, mund të ndikojë negativisht dhe të dëmtojë rëndë bashkëpunimin ruso-malazez të akumuluar prej vitesh. Përsa i përket veprimit të qeverisë gjatë protestave, nuk dua t’i komentoj, sepse Rusia gjithmonë udhëhiqet nga parimi fondamental i mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane. Megjithatë dua të theksoj se sipas mendimit tim, në kushtet aktuale, është shumë e rëndësishme të kontaktohet me njerëzit për problemet e tyre, të kërkohet kompromisi dhe të mos përdoret dhuna. Dua të kujtoj që nuk ka kaluar shumë kohë që kur NATO ka kryer bombardime kundër Jugosllavisë dhe shumë njerëz në Mal të Zi e kujtojnë këtë kohë dhe është çështje shumë e ndjeshme dhe nuk mund të punojmë me dhunën këtu. Dhe në vend të fjalëve kundër Rusisë mendoj se do të ishte më e udhës të krijohej një dialog me opozitën që do të kontribuojë në stabilitetin e shtetit. Më lejoni pak që të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të them disa fjalë për marrëdhëniet dypalëshe mes Rusisë dhe Shqipërisë. Mali i Zi mund të jetë një model i mirë për marrëdhëniet ruso-shqiptare. Mali i Zi dhe Rusia kanë një bagazh të madh të marrëdhënieve në fushat ekonomike, turistike. Shumë rusë kanë blerë prona në Mal të Zi dhe jetojnë atje. Mendoj se Shqipëria ka më shumë potencial në fushën e turizmit, por nuk e shfrytëzon mirë. Tani, pjesa e madhe e turistëve rusë që vijnë në Shqipëri, vijnë nga Mali i Zi ose nga Korfuzi dhe kjo situatë nuk është normale. Afërsisht 15 mijë rusë kanë vizituar Shqipërinë këtë vit, por janë shifra shumë të vogla duke i krahasuar me Turqinë apo Egjiptin ku çdo vit shkojnë rreth 5 milionë turistë rusë dhe çdo turistë shpenzon të paktën 1 mijë euro. Është e kuptueshme që është në dobi të palës pritëse dhe është një biznes shumë i mirë. Unë shpresoj që pragmatizimi dhe kuptimi i qartë do fitojnë në një moment dhe ne do të ndërtojmë marrëdhëniet tona ekonomike, pa marrë parasysh gjendjen politike dhe angazhimet politike të shteteve tona.

TCH: Zoti ambasador, ju përmendet pak më parë që integrimi i Malit të Zi në strukturat Euro-Atlantike polarizon situatën, por duke ju referuar edhe pjesës ekonomike që folët pak më parë për Shqipërinë, Shqipëria është një vend i NATO-s dhe ka aspiratën e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, nuk ndikon negativisht kjo që sapo thatë?

Alexander Karpushin: Shqipëria është ndryshe sepse Shqipëria nuk është bombarduar kurrë nga NATO dhe këtë zgjidhje të popullit shqiptar ne e respektojmë sepse Shqipëria është një shtet i pavarur dhe sovran dhe ne gjithmonë e respektojmë këtë gjë. Por, keni të drejtë kur thoni se gjërat politike mund të ndikojnë tek zhvillimet ekonomike. Për fat të keq, tani Rusia dhe Shqipëria kanë mendime të ndryshme për disa çështje të axhendës ndërkombëtare dhe patjetër që kjo mund të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve, por unë jam i sigurt dhe shpresoj që në një moment, interesat ekonomike do të jenë mbi interesat politike. Këtu mund të jetë një model si me Turqinë për shembull. Niveli i shkëmbimeve tregtare me Turqinë është shumë i madh dhe janë miliarda dollarë  dhe ne realizojmë disa projekte të mëdha si gazsjellësi, ndërtimin e centralit bërthamor. Megjithatë Turqia është një anëtare e NATO-s dhe ne kemi mendime të ndryshme për disa çështje ndërkombëtare, sidomos për Sirinë, por kjo nuk pengon zhvillimin ekonomik mes dy vendeve. Një shembull tjetër është dhe Sllovenia vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, me të cilën kemi nivele të shkëmbimit tregtar shuma të konsiderueshme.

TCH: Është vënë re kohët e fundit që për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në rajon, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë, Shqipëri dhe së fundi në Mal të Zi, reagimi i parë zyrtar ka ardhur nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Si e shpjegoni ju këtë fakt dhe a ka të bëjë kjo me interesat ekonomike apo interesa të tjerë që ka Rusia në Ballkan?

Alexander Karpushin: Mendoj që pjesërisht mund të shpjegohet kjo me nivelin e lartë të profesionalizimit të Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Nga ana tjetër, mund t’ju them se patjetër interesat e Rusisë në rajonin e Ballkanit janë të konsiderueshme, por dua të nënvizoj që këto janë interesa të kërkimit të partnerëve ekonomikë. Më pyesin shpesh ‘a ka një qëllim të përforcimit të prezencës së saj Rusia këtu në Ballkan?’ Unë them po, patjetër. Ne duam të përforcojmë prezencën tonë, por kjo është prezenca ekonomike sepse ne kërkojmë lidhje dhe bashkëpunim në fusha të ndryshme të ekonomisë së pari, por jo prezencën politike.

TCH: Rusia e mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në NATO?

Alexander Karpushin: Kjo është puna sovrane dhe e brendshme e popullit të Malit të Zi dhe ne respektojmë gjithmonë zgjidhjen e popujve sovran. Por, mund t’ju them se ne ishim kundër anëtarësimit në NATO të shteteve fqinje të Rusisë sepse për këto ne kemi pasur një marrëveshje me shtetet perëndimore, por marrëveshja nuk u zbatua për fat të keq. Dhe do t’ju shpjegoj pse është e rëndësishme për ne. Çdo anëtarësim i ri i NATO-s, nga shtete që janë fqinje të Rusisë, dëmton bilancin e forcave në Europën Lindore dhe kjo na detyron të marrim masat për forcimin tonë dhe dëmton ekonomin dhe bashkëpunimin me këto shtete.

Top Channel