Meksikë, autoritetet zbulojnë “tunelin e drogës”

23/10/2015 03:15

Autoritetet meksikane kanë zbuluar një tunel të gjatë 800 metra që është shfrytëzuar për të kontrabanduar drogë në qytetin amerikan të San Diegos.

Tuneli që hyrjen e ka në qytetin meksikan të Tijuanas, besohet se i përket bandës së të shumëkërkuarit Joaquin Guzman, i cili u arratis kohë më parë nga një burg i sigurisë së lartë.

Policia njoftoi se janë ndaluar 16 të dyshuar dhe janë sekuestruar 10 tonë marijuanë. Tuneli ishte i thellë 10 metra, ndërsa gjatë aksionit nuk ka pasur të shtëna, pasi të dyshuarit janë dorëzuar menjëherë.

Autoritetet e kanë përshkruar si një tunel të sofistikuar, me drita, ventilim dhe me masa mbrojtëse për të parandaluar shembjen.

Prej vitesh, kartelet meksikane kontrabandojnë drogë drejt SHBA-ve duke shfrytëzuar tunele të nëndheshme.

Top Channel