Shtimi i azilkërkuesve, Meta: Të rinjtë duan perspektivë

23/10/2015 09:20

Megjithë qëndrimin e kryeministrit Rama se pjesa dërrmuese e azilantëve shqiptarë në Gjermani janë emigrantët tanë në Greqi, për kreun tjetër të mazhorancës arsyet janë të brendshme.

Ilir Meta deklaroi në tryezën e krerëve të komisioneve të integrimit të rajonit, se duhet të ecet shpejt me reformat dhe t’i jepet një cilësi tjetër mirëqeverisjes. Veçanërisht edukimi dhe prespektiva e të rinjve duhet të shihet me shumë përparësi tha Meta.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të trajtuar dhe luftuar papunësinë e lartë, e cila për fat të keq ende dekurajon të rinjtë tanë për të investuar energjitë dhe aftësitë e tyre në vendet tona dhe në rajonin tonë. Ky prioritet ka domethënie të jashtëzakonshme sidomos gjatë këtij viti ku për fat të keq kërkesat e azilantëve në vendet e Europës perëndimore janë rritur në mënyrë shqetësuese dhe nga vendet tona”, tha Meta.

Edhe për demokraten Majlinda Bregu ka pothuaj të njejtat arsye përse largohen shqiptarët.

“Pavarësisht se vendet tona janë në listën e vendeve të sigurta, numri i lartë i të larguarve përshkruan më qartë situatën tonë reale: papunësi e lartë, sidomos tek të rinjtë, korrupsion dhe situatë e rënduar social-ekonomike, të cilat janë më kokëfortë se çdo listë e vendeve të sigurta”, tha znj. Bregu.

Ndërsa ministri i Jashtëm sheh të tjera arsye te fluksi i largimeve, e për këtë citon kryeministrin serb.

“E gjithe vala e azilkërkuesve gjatë dy viteve të fundit nga rajoni jonë, nxitet më tepër nga benefitet sociale që ofrojnë sisteme të ndryshme të azilkërkimit dhe në këtë kontekst vendimi i qeverisë gjermane për të shpallur vendet e rajonit si vende të sigurta dhe njësimi i praktikës në nivel europian jo vetëm do të reduktojnë procedurat, por pritet që të kenë dhe një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e fenomenit”, tha Bushati.

E pavarësisht, aktorët politikë shqiptarë, nuk harruan të nënvizojnë ambicien e Shqipërisë për të përparuar drejt BE-së, ndaj së cilës nuk munguan as kritikat për procesin e zgjerimit që nuk po shoqërohet me një axhendë të qartë. Por Raporteri për Shqipërinë në BE e pati të qartë përgjigjen:

“Reforma në drejtësi është vendimtare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe unë e kam të vështirë ta mendoj… jo se nuk mund ta imagjinoj një shtet që i bashkohet Europës pas një drejtesie profesionale e të ndershme të çliruar nga korrupsioni dhe ndërhyrjet politike. Është kjo reformë që lejon të bëhet progres thelbësor në prioritetet kryesore, kryesisht si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe është kjo reformë që lejon përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe investimet e huaja dhe krijon vende pune dhe prosperitet”, tha ai.

Në pjesën e përshendetjeve të të ftuarve, krerët e komisioneve parlamentare të rajonit shfaqen konsensus. Kjo deri në momentin kur ndryshe nga sa kishin rënë dakort më herët, Serbia kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në strukturën e komisioneve të integrimit europian të rajonit.

Këtë qëndrim ky vend e justifikoi me mungesën e Malit të Zi në tryezë për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë vend. Megjithatë malazezët paraqiten me shkrim dhe më pas edhe përmes ambasadorit dakortësinë për anëtarësimin e Kosovës. Pas rënies së kësaj alibie, ishte përfaqesuesi boshnjak ai që abstenoi, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në këtë strukturë rajonale.
 

Top Channel