Racizmi pas sulmeve me shpatë në shkollën suedeze

23/10/2015 10:10

Autoritetet suedeze besojnë se motivet e sulmit me shpatë në një shkollë, ku mbetën të vdekur një mësuese dhe një nxënës, lidhen me racizmin.

Shefi i policisë, Niclas Hallgren tha se këto dyshime lindën në bazë të asaj se çfarë është gjetur në apartamentin e autorit dhe nga sjellja e tij gjatë kryerjes së sulmit.

Mediat suedeze shkruajnë se autori 21-vjeçar ishte një simpatizant i ekstremit të djathtë, urrente islamin dhe emigrantët.

I armatosur me një shpatë, helmetë dhe maskë, i riu sulmoi një shkollë fillore në Trollhattan, pranë Gotenborgut, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

Para sulmit autori është parë të pozojë në fotografi me nxënësit, që besonin se veshja e tij ishte për Halloëeen.

Një mësues dhe një nxënes 17 vjeç mbetën të vrarë nga sulmi, ndërsa një 15-vjeçar dhe një tjetër mësues ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Identiteti i autorit nuk është bërë ende publik nga policia suedeze, e cila për shkak të hetimeve ka bërë të ditur vetëm faktin që ai ishte banor i zonës ku ndodhi sulmi.

Top Channel