Shfrytëzoi për prostitucion 26-vjeçaren, pranga pronarit të lokalit në Durrës

23/10/2015 10:25

Një 26-vjeçare është dhunuar nga pronari i një lokali nate pas refuzimit të saj për t’u shfrytëzuar në vazhdimësi si prostitutë.

E reja, që ishte e punësuar në lokalin “Kolombia” në plazhin e Durrësit, në kallëzimin e saj në polici ka dëshmuar se pronari 46-vjeçar i lokalit, Pëllumb Tuda e ka shfrytëzuar për një periudhë kohe prej një viti e gjysmë për qëllime prostitucioni. Kur denoncuesja ka refuzuar të vazhdojë të shfrytëzohet ndaj saj është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike duke i shkaktuar dëmtimë të lehta.

Shërbimet policore të Durrësit ndaluan shtetasin Tuda, i cili do të përballet me akuzat e ”Shfrytëzim i prostitucionit” dhe ”Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar në nenet 114 dhe 89 të Kodit Penal.

Në maj të këtij viti, Tuda është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 1 vit e 4 muaj burg për një plagosje të dyfishtë që ndodhi në lokalin e tij në korrik të vitit 2014, kohë kur dhe qe arrestuar, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 4 vjet e 8 muaj burg për këtë ngjarje.

Ndërkaq i ndaluari është dënuar edhe më parë për “Plagosje të lehtë me dashje”, pas rrahjes së dy klientëve, vëlla e motër, në lokal, si dhe për organizim të lotarive të palejuara. Për shkak të vlerësimit si person me rrezikshmëri të ulët shoqërore, Gjykata e Durrësit në këto 2 raste e ka dënuar atë vetëm me gjobë.

Top Channel