Mblidhet Këshilli Ekonomik i Tiranës

23/01/2015 11:30

Këshilli Ekonomik i Tiranës, një premtim elektoral i kryebashkiakut Erion Veliaj, u mblodh për herë të parë këtë të premte, ku kreu i Bashkisë së Tiranës shpalosi objektivat e këtij këshilli.

Veliaj tha se detyrë e këtij këshilli do të jetë filtrimi i të gjitha masave dhe vendimeve financiare si të kryetarit të bashkisë ashtu edhe të Këshillit të Bashkisë përpara se të marrin një titull ekzekutiv.

“Nga tani e tutje, shumë prej vendimeve, nismave, buxheteve dhe paketa fiskale do të filtrohen në këtë këshill përpara se ato të marrin një titull ekzekutiv, qoftë si urdhër të kryetarit apo vendime të Këshillit Bashkiak”, tha Veliaj.

Këshilli përbëhet nga 61 anëtarë, përfaqësues të shoqatave kryesore të sipërmarrjes dhe industrisë në Tiranë si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, BERZH-it dhe të tjera institucioneve financiare ndërkombëtare me përfaqësi në vendin tonë, që në këtë këshill kanë statusin e vëzhguesit.

Veliaj justifikoi nevojën e ngritjes së këtij këshilli nga fakti se Bashkia e Tiranës është prokuruesi i dytë më i madh i parave publike pas qeverisë qendrore, ndërsa foli edhe për detyrimet e prapambetura të Bashkisë së Tiranës, të cilat tha se do të shlyhen.

Kreu i Bashkisë së kryeqytetit shpalosi në këtë mbledhje të parë të këtij këshilli, objektivin për ndërtimin e të gjitha shkollave që ka nevojë qyteti për të eleminuar mësimin me turne përmes bashkëpunimit publik-privat brenda një viti.

Pjesë e këshillit janë edhe pesë akademikë dhe ekspertë të ekonomisë, ku njëri prej tyre është edhe Arben Malaj, i propozuar nga Veliaj për të qenë edhe koordinator i këtij këshilli.

Top Channel