Korçë, protestë e PD-së dhe fermerëve

23/10/2015 12:00

Problemet e shumta të fermerëve dhe përballja e tyre me mungesën e tregut në rajonin juglindor ka bërë që Partia Demokratike të organizojë një protestë, për të ngritur sërish shqetësimin për situatën e krijuar.

Përfaqësues të kryesisë, por edhe fermerë, janë ndalur në tregun e shitjes me shumicë, ku së bashku kanë apeluar për marrjen e masave nga qeveria, pasi prodhimet e mbetura stok nuk po shiten.

Tonelata të tëra me mollë, sipas kreut të PD-së, kanë mbetur në parcela, magazina dhe frigoriferë pa asnjë shpresë shitjeje, çka do të thotë kosto të mëdha dhe humbje kolosale për qindra fermerë.

Andrea Mano, kreu i Partisë Demokratike në Korçë, u shpreh: “Na është premtuar që do të sigurohet tregu i shitjes dhe që do të kishte subvencionim për fermerët, por nuk është bërë asgjë”.

Kjo situatë, sipas fermerëve, por edhe grumbulluesve, vjen jo vetëm si pasojë e mungesës së tregut, por edhe kërkesës për pajisjen me NIPT të fermerëve. Këta të fundit duken më të dëmtuarit, pasi përveçse përballen me kushtet atmosferike, dëmet nga breshëri, përmbytjet si pasojë e problemeve me kanalet vaditës dhe kullues, edhe në rastet kur marrin prodhim, nuk arrijnë ta shesin atë.

Fermerët thonë se shkak i mosshitjes është edhe frika e tregtarëve që nuk blejnë për shkak se u kërkohet faturë tatimore. Për këtë arsye, ata zgjedhin importin.

Top Channel