Familja shqiptare kërkon azil në Gjermani: Na kërcënojnë myslimanët

23/10/2015 12:25

Historia e shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani nuk është diçka e re. Por arsyet deri më të çuditshmet janë ato që tërheqin vëmendjen e mediave vendase. Një histori e tillë është rasti i familjes Qafa, në Frankfurt, me të 5 anëtarët e saj.

Sipas kryefamiljarit Sokol Qafa, ata nuk mund të kthehen në Shqipëri, pasi kërcënohen me jetë nga besimtarë myslimanë. Sokoli i përkiste edhe vetë këtij besimi deri 1 vit e gjysmë më parë, kur u konvertua si i krishterë.
 
E përditshmja “Frankfurter Neue Presse” sjell historinë e familjes që jeton në Frankfurt prej një viti e gjysmë e tani kanë edhe një punë me të cilën jetojnë e mbulojnë shpenzimet. Fëmijët jane integruar më së miri në jetën e atjeshme, ndërsa vetë Sokoli punon në një hotel të madh si kamerier. 

Për të përditshmen gjermane, Sokoli tregon historinë e tij: “Unë isha mysliman me besim. Si një i ri shqiptar u interesova për krishtërimin. Pastaj mora një letër ku shkruhej: Kur do vish në xhami? Më vonë mora një letër kërcënuese të cilës nuk i dhashë rëndësi, derisa në vitin 2002 dëgjoj të shtëna jashtë shtëpisë sime. Dola dhe dy meshkuj më kapën prej trikoje e më tërhoqën zvarrë”.

Qafa i mbijetoi sulmit dhe ai u largua për në Greqi, ku punonte si emigrant me ç’të gjente, derisa filloi kriza dhe ai u kthye në Shqipëri.

“Me kthimin tim në Shqipëri mora letrën e dytë. Ishte i njëjti shkrim dore. Kështu që nuk prita më, por paketova plaçkat me familjen time dhe u nisëm për në Gjermani. Nuk mund të kthehem më në Shqipëri sepse gruaja ime vuan nga depresioni për shkak të ngjarjeve që na ndodhën. Atje askush nuk mund të na ndihmojë”, shton Sokoli.

Sokoli dhe familja e tij duhet të kthehen në Shqipëri tani, edhe pse avokati i tyre e ka apeluar mosmiratimin e azilit, por pa shpresa se mund të ndryshojë gjë.

Top Channel