ISIS-i kërcënon izraelitët në hebraisht

23/10/2015 12:40

Militantët e egër të Shtetit Islamik në përgjithësi nuk kursehen në kërcënime, por këtë radhë, për të parën herë kanë lëshuar një paralajmërim në hebraisht. Shënjestra e tij janë izraelitët, të cilëve ISIS-i u thotë se dhuna e këtyre javëve të fundit nuk është veçse fillimi i një fushate shumë më të gjerë.

“Ky është një sinjal i rëndësishëm për hebrenjtë, të cilët kanë pushtuar tokat e myslimanëve. Lufta e vërtetë ende nuk ka nisur. Ajo që po përjetoni tani nuk është gjë tjetër veçse një lojë fëmijësh krahasuar me çfarë ju pret në të ardhmen. Ta dini se do ta paguani shtrenjtë çdo gjë që keni bërë, dhjetëfishin do të paguani. Ne po vijmë”, ishte mesazhi i militantit që flet rrjedhshëm e shumë pastër hebraisht.

Ai më tej jep edhe sqarime mbi avancimin e xhihadistëve islamikë: “Po ju afrohemi nga jugu, përmes gadishullit të Sinait; e nga veriu, përmes lartësive Golan. Qëllimi ynë është t’i fshijmë një herë e përgjithmonë kufijtë e caktuara nga fuqitë perëndimore në vitin 1916, me marrëveshjen Sykes-Picot”.

Ai i referohet paktit sekret anglo-francez për sferën e influencës së Rusisë në Azi.

Një studim i fundit, botuar nga revista e mbrojtjes “IHS Jane’s” tregon se gjatë 3-mujorit të tretë të vitit, sulmet e Shtetit Islamik janë intensifikuar. nga korriku në shtator, ISIS-i sipas saj ka kryer 1 086 sulme në shkallë globale, shifër kjo që mesatarisht përfaqëson 12 goditje në ditë ose një shtim prej 42% të sulmeve krahasuar me tre muajt paraardhës.

Top Channel