Qeveria: Nuk po blejmë Jaguar, po i marrim me qira për të kursyer

23/10/2015 13:55

Qeveria ka përgënjeshtruar përmes portalit të saj lajmin e publikuar në disa media një ditë më parë e të përforcuar edhe nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, se po blen 29 makina superluksoze.

Qeveria thotë se Garda e Republikës nuk ka shpallur asnjë tender për të blera makina.

“Tenderi për të cilin media të ndryshme kanë ngritur pretendime ka të bëjë me marrjen me qira të automjeteve që Kabineti Qeveritar do të përdorë, duke pasur parasysh amortizimin e flotës aktuale të automjeteve, mungesën e sigurisë në transport, koston shumë të lartë në mirëmbajtje, si edhe koston e lartë në konsum të karburantit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Së dyti, thuhet në deklaratën përgënjeshtruese, duke qenë se tenderi në fjalë ka të bëjë me shërbimin e transportit të personaliteteve të larta shtetërore dhe sigurinë e tyre fizike, Garda e Republikës është e detyruar të rezervohet në dhënien e informacionit të klasifikuar.

Qeveria thotë se marrja me qira e këtyre automjeteve është një mundësi që kursen më shumë edhe se vetë blerja apo mbajtja në përdorim e automjeteve aktuale.

“Sot, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 Euro në vit, ose 2,545,571 Euro për një periudhë katër vjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare. Shteti shqiptar kursen 141,872 Euro në vit, ose 567,491 Euro për një periudhë katër vjeçare”, thuhet në reagimin e Këshillit të Ministrave.

Top Channel