MotoGP në Malajzi, Lorenzo më i shpejti në provat e lira

23/10/2015 00:00

Jorge Lorenzo fiton raundin e parë të kësaj fundjave në Çmimin e Madh te Malajzisë në Botërorin e MotoGP.

Piloti spanjoll i Yamaha-s ishte më i shpejti në pistën e “Sepang”-ut në provat e lira, duke e përshkuar atë me kohën 2 minuta e 246 të mijtat e sekondës, duke i lëshuar një mesazh shokut të tij të skuadrës, Valentino Rossi-t se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga titulli botëror edhe pse kjo është gara e parafundit e këtij sezoni.

Lorenzo arriti të mbajë pas gjatë këtyre provave dy bashkëkombësit e tij që garojnë me Honda-n, Dani Pedrosa dhe Marc Marquez që u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Mjaft mirë u paraqit edhe italiani Andrea Iannone me “Ducati”-n e tij që shënoi kohën e katërt më të mirë.

Valentino Rossi nuk mundi dot të renditet mes më të mirëve në provat e lira as në Malajzi. Piloti, 9 herë kampion i botës nuk shkoi më shumë se vendi i tetë, gjë që i la atij një shije të hidhur. Kjo për faktin se në çastet e fundit të sesionit të dytë të tyre ai pati probleme me gomën dhe kjo bëri që koha e tij të ishte 1 sekondë më e lartë se ajo e shokut të tij të skuadrës Jorge Lorenzo.

Top Channel