Samit katërpalësh për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Siri

23/10/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Turqia dhe Arabia Saudite janë takuar këtë të premte me synimin për të gjetur një zgjidhje politike ndaj luftës civile siriane, pavarësisht mosmarrëveshjeve themelore mes SHBA-ve dhe Rusisë mbi rolin e Presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ende nuk ka sinjale të dukshme nga jashtë të progresit drejt fundit të konfliktit 4-vjeçar, ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, takim pas të cilit ata organizuan edhe bisedimet katërpalëshe së bashku me homologët e tyre saudit dhe turk.

Fushata 3-javore ushtarake e Rusisë kundër grupeve islamike që kundërshtojnë Assadin ka ndalur një ofensivë të ndërmarrë gjatë verës të rebelëve, përfshi edhe disa prej tyre të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, të cilët kishin vënë në pikëpyetje kontrollin e Assadit mbi pjesën perëndimore të vendit, me popullsinë më të madhe.

Rusia refuzoi thirrjet e Perëndimit për dorëheqje të Assadit, duke thënë se udhëheqësia e Sirisë mund të vendoset vetëm nga populli sirian përmes zgjedhjeve, ndërkohë që në shenjë të qartë mbështetjeje ndaj tij, Presidenti rus Vladimir Putin priti Assadin në Moskë më herët gjatë kësaj jave.

Disa diplomatë dhe analistë besojnë se Rusia mund të jetë në gjendje të shfrytëzojë ndikimin e saj te Assadi, por edhe shfaqjen e ‘muskujve’ të saj me sulmet ajrore në Siri, për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.

Duke folur në Berlin, gjatë së enjtes, Kerry tha se Assadi vetë ka qenë pengesa kryesore e zgjidhjes së konfliktit, i cili ka detyruar shpërnguljen e rreth 4 milionë refugjatëve në Turqi, Liban, Jordani dhe Irak.

Ndërsa duke folur nga Moska, këtë të premte, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov bëri të ditur se Rusia e konsideron Assadin si një figurë qëndrore në çfarëdo lloj procesi, duke thënë se është tepër e nevojshme të dakordësohet me të për një detyrë kaq të rëndësishme, sesa t’u thuash më vete të gjithë fraksioneve politike në Siri.

Nga ana e tij, Steinmeier shprehu bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë ende larg mbajtjes së një qëndrimi të përbashkët. “Ne të gjithë e dimë se, në fund të fundit hapat e parë drejt një zgjidhjeje politike varen nëse Uashingtoni dhe Moska gjejnë ura drejt njëri-tjetrit”, tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman deklaroi gjithashtu se, bisedimet e mëhershme të tij gjatë këtij muaji me Arabinë Saudite dhe Iranin kishin “provuan edhe njëherë sesa të thella janë hendeqet mes dy superfuqive, të cilat mbështesin palët kundërshtare në konfliktin sirian.

Top Channel