Moldavi, arrestohet kreu prorus i opozitës. Pranon shkeljen e ligjit për përgjimin

23/10/2015 00:00

Kreu prorus i opozitës në Moldavi është arrestuar këtë të premte, pasi dyshohet të ketë lidhje me përgjimin e një bisede telefonike, që sipas tij provonte korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes së vendit.

Renato Usatii, i cili është edhe kreu i “Partisë sonë” pa asnjë vend përfaqësimi në Parlament, ka udhëhequr protestat antiqeveritare të shkaktuara nga vjedhja e një miliard dollarëve nga sistemi bankar, aq sa 1/8-a e GDP-së së vendit ish-sovjetik.

Pamjet televizive shfaqën momentin e arrestimit të tij në Aeroportin e Kishinjevit, teksa mbërrinte nga një vizitë në Moskë. Avokatja e tij mbrojtëse, Anna Ursaki, konfirmoi ndalimin e tij dhe tha se e akuzonin për përgjim.

Të enjten, Usatti publikoi online një regjistrim telefonate, e cila supozohet të shfaqë ish-kryeministrin Vlad Filat teksa kërkonte ryshfet nga një biznesmen lokal, Ilan Shor, i cili akuzohet së bashku me Filatin si të përfshirë në mashtrimin bankar me vlerë një miliard dollarë. Të dy të akuzuarit kanë mohuar përfshirjen.

Në atë kohë, Usatii tha se e kishte regjistruar bisedën e tyre telefonike në dijeni të plotë të shkeljes së ligjit, për shkak se ky veprim ishte në interes të publikut.

“E kam kryer këtë shkelje ligjore në mënyrë që të provoja se Shor dhe Filat janë partnerë në këtë krim”, tha ai, duke shtuar se ka edhe përgjime të tjera të politikanëve të nivelit të lartë dhe biznesmenëve.

Moldavët kishin ngritur një kam në Kishinjev që prej fillimit të muajit shtator, duke protestuar kundër korrupsionit qeveritar dhe duke kërkuar deklarimin si përgjegjës të atyre që kanë pushtetin për mashtrimin bankar.

Ky rast është mbajtur i fshehur deri në sigurimin e mbështetjes buxhetore nga huadhënësit ndërkombëtarë dhe nënvizon rivalitetin gërryes mes grupeve të oligarkëve në Moldavi, të cilat mund të godasin edhe kursin e vendit drejt integrimit europian.

Parlamenti pritet të votojë një mocion mosbesimi kundër koalicionit qeveritar proeuropian gjatë javës së ardhshme, pasi krerët e opozitës dorëzuan kërkesën në Parlament gjatë së enjtes.

Top Channel