Fleckenstein: Reforma do të bëhet. Dekriminalizimi, palët më pranë

23/10/2015 00:00

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, në një konferencë për shtyp në Tiranë, deklaroi se viti 2016 do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi ai beson në miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme.

“Unë besoj se viti që vjen, viti 2016, ka për të qenë kyç për Shqipërinë. Ky besojmë që ka për të qenë pikërisht viti kur Parlamenti shqiptar do të miratojë reformën në drejtësi dhe do të jetë po ashtu viti kur do të fillojë zbatimi i kësaj reforme. Nga bisedat që kam pasur me njerëzit e thjeshtë në Shqipëri, unë e kam kuptuar fare qartë dhe e kam dëgjuar prej tyre që kjo është reforma më e rëndësishme edhe për ta. Njerëzit duan të besojnë tek drejtësia dhe duan të besojnë që ajo të jepet në mënyrën e duhur”, deklaroi Fleckenstein.

Fleckenstein theksoi se ai gjithmonë pyetet kur vjen në Tiranë se çfarë mesazhesh vijnë nga Brukseli, por detyra e tij është që të çojë mesazhe nga Shqipëria në Bruksel. E pas kësaj vizite, raportuesi për Shqipërinë do të çojë këtë mesazh në Bruksel:

“Mesazhi qe do t’u çoj unë kolegëve të mi në Parlamentin Europian, në Komisonin Europian edhe në Këshill do të jetë se, pavarësisht gjithë atyre shqetësimeve apo përplasjeve që kanë ndodhur ndërmjet qeverisë dhe opozitës, mendimi im është ky: Politikanët kanë vërtet dëshirë për ta bërë këtë gjë dhe vërtet kanë dëshirën për të ecur përpara”, tha Fleckenstein.

I pyetur lidhur me ligjin e dekriminalizimit, ai theksoi se është shumë i rëndësishëm dhe se ka parë dy propozimet e paraqitura. Ai u shpreh se, shpreson që edhe ky ligj të miratohet sa më parë. Ndërsa i pyetur lidhur me testin e drogës së propozuar nga opozita, Fleckenstein theksoi:

“T’ju them të drejtën, më duhet t’ju them që, me sa njohuri kam, është hera e parë që dëgjoj një praktikë të tillë, që kjo të miratohet në Parlament, për një test të tillë. Nuk e kam dëgjuar këtë më parë, por megjithatë më duhet të them se në rast se kjo miratohet, kjo do të jetë hera e parë. Gjithësesi, më duhet të them që ka vende që jetojnë pa këtë praktikë. Më duhet të them që ky është një mendimi im personal dhe nuk e di për shembull se çfarë do të thoshte zoti Kukan. Ndoshta ai do të kishte mendim tjetër”, shtoi Fleckenstein.

Top Channel