Basha: Kryeministri më i paaftë, edhe mashtruesi më i madh

23/10/2015 19:10

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar, duke deklaruar se, “kryeministri më i paaftë, më arrogant dhe më i dështuar në historinë e 25 viteve të fundit është edhe mashtruesi më i madh që nga koha e Nastradinit”.

“Ka 2 muaj që ka sulur hordhitë tatimore kundër biznesit. Me egërsi, padrejtësi dhe selektivitet korruptiv e politik kërkojnë edhe kacidhen e fundit. Por i mungojnë 25 milionë dollarë vetëm peë shtatorin dhe 230 milionë dollarë për këto 9 muaj”, ka deklaruar Basha në profilin e tij në Facebook.

Sipas Bashës, për këtë situatë fajin nuk e ka biznesi, nuk e kanë as mediat dhe as Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë, “që ka guximin t’ia thotë të vërtetat në sy”.

“Paratë që mungojnë i ka vjedhur kokoshi 200-milionësh dhe skota e tij. Ky që të merr shpirtin për një kile qepë pa kupon, për vete e për miqtë ka ngritur saraje, vila dhe hotele luksi pa treguar asnjë kupon. Ky që dërgon larot e Tahirit për të terrorizuar të pamundurit e të pambrojturit, narko-ministrin e mban në detyrë edhe kur ka pranuar zyrtarisht shitjen e narko-taksisë së luksit “AA 003 GB” pa kupon e pa paguar asnjë kacidhe taksë”, ka thënë Basha.

Kryetari i PD është shprehur se, “ka ardhur koha që ta tërheqim zvarrë nga piedestali ku e ka ngritur ky palo kryeministër kultin e mashtrimit, dhunës dhe arrogancës”. “T’i hapim rrugë shansit për një Shqipëri të së vërtetës, lirisë, punës dhe drejtësisë”, ka bërë thirrje ai, duke propozuar:

“9 për qind taksë e sheshtë për biznesin e madh. 0.5% e xhiros tatim për biznesin e vogël dhe rritje e tavanit deri në 12 milionë lekë të reja. Pullë fiskale dhe zero prani tatimore te biznesi i vogël. Ulje e çmimit të naftës dhe energjisë. Falje e 100% të kamatë vonesave pa kusht. Kështu do të nisim së bashku rrugën tonë drejt një ekonomie të fortë dhe një të ardhmeje të sigurtë”, ka shtuar Basha.

Top Channel