Tornadoja më e fuqishme në histori kërcënon Meksikën

23/10/2015 00:00

Tornadoja “Patricia” është përforcuar këtë të premte, duke u kthyer në një prej stuhive më të fuqishme në historinë e njerëzimit, teksa i është drejtuar brigjeve të Paqësorit në Meksikë, duke detyruar kështu hotelet dhe resortet të evakuojnë turistët dhe rezidentët e duke u siguruar atyre furnizime rezervë.

Qendra Kombëtare e Tornadove në SHBA bëri të ditur se stuhia e kategorisë 5 është edhe më e fuqishmja e regjistruar ndonjëherë në hemisferën perëndimore, ndërsa Organizata Botërore e Meteorologjisë e krahasoi atë me tajfunin “Haiyan” të vitit 2013, që la me mijëra të vdekur në Filipine.

Sipas parashikimeve, pritet që tornadoja të prekë tokën pasditen e së premtes ose në orët e para të mbrëmjes, shtoi Qendra Kombëtare e Tornadove.

Njerëz me altoparlantë përgjatë bregdetit të resortit turistik të Puerto Vallartas, që mbipopullohet me turistë amerikanë dhe kanadezë, dhanë alarmin për të evakuuar hotelet teksa niste një shi i lehtë dhe një puhi e lehtë po lëkundte palmat. Ndërkaq, rrugët u boshatisën me të dëgjuar sirenat e policisë të kumbonin.

Punonjësit e hoteleve në Puerto Vallarta thanë se përpjekjet e nevojshme për evakuimin e të vizitorëve kanë nisur, por disa të tjerë janë ende në pritje për të mësuar se ku do të dërgohen për strehim.

Aristoteles Sandoval, guvernator i shtetit të Jaliscos, deklaroi se priste rreth 15 mijë persona të evakuoheshin nga Puerto Vallarta. Ministri meksikan i Komunikimit dhe Transportit, Gerardo Ruiz Esparza tha se tornadoja është e përmasave “kolosale”, si dhe nxiti banorët të mbronin vetveten.

“Është një rrezik i jashtëzakonshëm që po u kanoset brigjeve tona dhe popullsisë sonë”, tha ai.

Top Channel