Lirimi i pengjeve të ISIS, publikohet emri i komandos së vrarë

23/10/2015 22:00

Idenditeti i komandos amerikan të vrarë së fundmi në një mision shpëtimi pengjesh në Irak është bërë i ditur.

Sipas gazetës “The Mirror”, ai është rreshter Joshua L. Wheeler, 39 vjeç nga Oklahoma.

Operacioni për lirimin e 70 pengjeve të mbajtur nga militantët e Shtetit Islamik nisi mëngjesin e së enjtes në një lokalitet pranë qytetit Hauija, i përbërë kryesisht nga kurdë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se në të morën pjesë ushtarë amerikanë, forcat speciale kurde, si dhe trupa ushtarake irakene.

“Ata bllokuan rrugën, më pas bastisën vendin dhe arritën të lironin të gjitha pengjet”, deklaroi për “New York Times” guvernatori i Kirkukut, Najmaldin Karim.

Në javët e fundit, forcat kurde janë ndeshur me militantët e ISIS në përpjekje për të rimarrë kontrollin e fshatrave në këtë provincë.

Wheeler është ushtari i parë amerikan që vritet në operacionet kundër Shtetit Islamik që nisën vitin e kaluar.

Top Channel