Kosovë, mblidhet Kryesia pas plotësimit të kuorumit

23/10/2015 00:00

Situata në Kosovë nuk po njeh aspak ulje të tensioneve. Përkundrazi, protestuesit kanë rifilluar të hedhin tymuese, madje edhe shashka në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Dhjetëra aktivistë dhe simpatizantë të partive të opozitës, të cilët duan të pengojnë Asocacionin e Komunave serbe duke bllokuar punën e Kuvendit, tashmë qëndrojnë që prej orës 16 të pasdites së të premtes para godinës së Kuvendit.

Ndërkohë, brenda në Kuvend është mbledhur Kryesia, mbledhje e cila u anulua disa orë më parë për mungesë kuorumi. Shefi i grupit parlamnetar të PDK-së, Adem Grabovci i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë.

Arsyeja e vonesës deri më tani ka qenë mungesa e kuorumit, pasi nënkryetari Xhavit Haliti ka qenë në aktivitete zyrtare në Tiranë. Mësohet se ai ka ardhur enkas nga Tirana për të siguruar kuorumin e pozitës për mbledhjen e Kryesisë, të cilën opozita po e bojkoton sërish.

E ndërsa Kryesia po mban takim, deputetët e opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke pritur vazhdimin e seancës. Aida Dërguti nga radhët e Vetëvendosjes ka hyrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, por seanca plenare nuk pritet të rifillojë para orës 23.

Top Channel