Përfundon seanca në sallën e improvizuar, opozita e quan të paligjshme

23/10/2015 23:35

Pas orëve të gjata tensioni, ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës e cila u mbajt në një sallë të improvizuar në ambientet e këtij institucioni. Deputetët e pozitës miratuan me shpejtësi të gjitha projektligjet e rendit të ditës, ndërsa opozita nuk mori pjesë.  

Gjatë kohës kur po mbahej kjo seancë, partitë opozitare kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Kreu u VV-së, Visar Ymeri deklaroi se policia nuk i ka lejuar deputetët e opozitës që t’i afrohen kësaj salle.

Ai tha se seanca është e paligjshme, duke e quajtur atë si “takim ilegal të strukturave partiake” dhe duke fajësuar kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Seanca rifilloi pak para mesnatës dhe përfundoi rreth orës 01:45 të ditës së shtunë. Gjatë kësaj kohe, seanca u ndërpre dy herë. Në të gjitha rastet, opozita përdori gazin lotsjellës si dhe mjete të forta për të ndaluar mbajtjen e seancës.

Zhvillimet minutë pas minute

01:45 – Përfundon seanca në sallën e improvizuar

Ka përfunduar seanca e mbajtur në një ambient të improvizuar në Kuvend. Deputetët e pozitës miratuan me shpejtësi të gjitha pikat e rendit të ditës. Deputetët e të dy krahëve politikë po largohen nga ambientet e Kuvendit.

01: 40 – Opozita e quan të jashtëligjshme seancën në sallën e improvizuar

Gjatë kohës kur deputetët e pozitës po mbanin seancën në sallën e improvizuar në ambientet e Kuvendit, partitë opozitare kanë mbajtur një konferencë për shtyp.

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri e ka quajtur “takim ilegal i strukturave partiake” seancën që po mbahej në sallën e improvizuar. 

“Aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit. Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”, ka deklaruar Ymeri.

Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se seanca ka përfunduar, ndërsa deputetët e koalicionit qeverisës janë mbledhur për të diskutuar për çshtje partiake, një takim, që sipas tij, është i njëjtë sikurse të mbahej në ndonjë kafene.

01:30 -Nis seanca në sallën e improvizuar në Kuvend

Ka filluar seanca në sallën e improvizuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, por deputetët e opozitës nuk janë të pranishëm. Nuk dihet ende se pse ata nuk janë në këtë sallë pasi ata vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e zakonshme. 

Deputetët e pozitës kanë nisur votimin për projektligjet e rendit të ditës.

01:25 – Ambasadori britanik, O’Connell: Mbështesim institucionet e Kosovës

“Këtë javë i pashë dy anë të Kosovës. Protesta në përkrahje të rektorit tregon se ka shumë njerëz të cilët dëshirojnë që institucionet e Kosovës të punojnë për të mirën e njerëzve dhe jo për interesat e veta. Marshi i organizuar nga shoqëria civile tregon se ka shumë njerëz që brengosen për të ardhmen e Kosovës, dhe për kulturën politike e cila po krijohet.

“Por, dhuna në vazhdim nga opozita për të bllokuar punën e Parlamentit nuk e ndihmon Kosovën që ta ndërtojë një të ardhme më të mirë. Ajo e dëmton imazhin e Kosovës, e kërcënon zhvillimin demokratik të Kosovës dhe largon investitorët.

“Andaj, unë e mbështes iniciativën e Presidentes që ofron një zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar, dhe shpresoj që opozita me sinqeritet do të angazhohet për këtë. Mbështesim institucionet e Kosovës”, ka shkruar O’Connell në Facebook.

01:20 – Ende asnjë vendim për vijim e seancës

Deputetët e pozitës dhe sigurimi i Kuvendit kanë dalë nga salla e Kuvendit, ndërsa aty vijojnë të qëndrojnë vetëm deputetët e opozitës. Ende nuk ka një vendim zyrtar për vijimin ose jo të seancës, por në rast se vendoset për vazhdimin, atëherë me shumë mundësi kjo do të ndodh në një tjetër sallë që është përgatitur gjatë pasdites të së premtes.

01:15 – Reagon ambasadori i SHBA, Gre Delawie

Ambasadori i SHBA-vë në Prishtinë, Greg Delawie reagoi pas ngjarjeve në Kuvend. Ai përsëriti se dhuna dhe gazi lotsjellës nuk kanë vend në Kuvend.

“Gazi lotsjellës dhe dhuna nuk kanë vend në Kuvend. Veprime të tilla dëmtojnë të ardhmen e Kosovës”, ka thënë diplomati amerikan.

01:05 – Deputetët rikthehen në sallë

Mazhoranca duket e vendosur për të vazhduar seancën. Deputetët janë rikthyer sërish në sallë, pas dy tentimeve të mëparshme të dështuara për të rifilluar seancën. Po mendohet që seanca të vazhdojë edhe në një sallë tjetër.

Ndërkohë, policët civilë kanë krijuar gardhën që ndan deputetët nga përfaqësuesit e kabinetit qeveritar dhe kreu i Kuvendit.

Ndërsa jashtë Kuvendit, protestuesit i kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave si dhe kanë bllokuar rrugët.

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

MicrosoftInternetExplorer4

00:25 – Veseli kërkon falje për gjuhën e përdorur

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur gjatë seancës, kur i ofenduar me fjalët “kriminel” nga deputetët e opozitës, ai iu është drejtuar atyre me fjalë banale ndërkohë që mikrofoni ishte i hapur.

“Në seancën plenare të mbajtur sonte, në një moment gjatë përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar jam shprehur në mënyrë joadekuate, shprehje me të cilën mund të preken nënat dhe motrat tona. Dëshiroj t’ju kërkoj falje atyre nga thellësia e zemrës, duke filluar nga nëna ime, bashkëshortja ime dhe të gjitha nënave dhe motrave të Kosovës sonë”, ka thënë Veseli.

00:20 – Policia e Kosovës: Vepruam sipas rregullores së Kuvendit

“Me vendim të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bazuar në rregulloren e Kuvendit të Kosovës është kërkuar hyrja e personelit të sigurimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas autorizimeve ligjore kanë formuar gardh sigurie brenda në seancë.

“Gjatë kohës sa seanca kishte filluar, jashtë objektit të Kuvendit protestuesit kishin filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme dhe koktej molotovi drejt objektit të Kuvendit duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policor dhe me këtë rast njësitet relevante policore janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për shpërndarje të turmës.

“Vlen të potencohet se deri në këtë moment nuk ka ndonjë deputet të arrestuar e as të lënduar.

“Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtutjeshme do t’i ndërmarrë sipas autorizimeve ligjore, vlerësimit të situatës dhe vendimit të prokurorit kompetent”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.

00:15 – Tensione brenda dhe jashtë Kuvendit

Edhe pas rikthimit në sallë, deputetët e opozitës kanë lëshuar sërish gaz lotsjellës, ndërsa kanë goditur me mjete të forta në drejtim të kreut të Kuvendit, Kadri Veseli dhe përfaqësuesve qeveritarë.

Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit situata vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Policia shpërndau turmën e mbledhur, pasi këta të fundit gjuajtën me koktej molotovi . Protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët e Prishtinës, ndërsa policia iu është vënë pas.

00:05 – Deputetët largohen nga salla, deklarata të përfaqësuesve partiakë

Pas hedhjes së gazit lotsjellës, deputetët janë detyruar që të largohen nga salla e Kuvendit. Veseli, i shoqëruar edhe nga disa deputetë të partive në pushtet, është rikthyer në zyrën e tij.

Ndërkohë, kreu u Vetëvendosjes, Visar Ymeri deklaroi se një qeveri që nxjerr në shesh policët për të dhunuar protestuesit dhe në sallë për të larguar deputetët, nuk mund të jetë legjitime. Ai ka thënë se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit.

“Qeveria e Kosovës sot e shfaqi fytyrën më të dhunshme që kemi parë deri më tani. Kanë blinduar sallën dhe kanë çuar policinë në shesh për të sulmuar qytetarët. Kjo e ridimensionon situatën politike në Kosovë sepse një qeveri që është kaq e shfrenuar që nxjerr deputetët me polici nga salla nuk mund të jetë legjitime. Ne do të vazhdojmë ta bllokojmë punën e Kuvendit sa herë që ata të kthehen. Sot u tregua se si punohet për interesat e Serbisë në këtë vend dhe për këtë përdoret dhe policia”, u shpreh Ymeri.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci u shpreh se veprimet e opozitës janë të një niveli të ulët dhe tentojnë të shkatërrojnë shtetin e Kosovës.

“Kjo është tentativë për të shkatërruar shtetin. Këto veprime janë të një niveli të ulët. Ne kemi bërë përpjekje që gjejmë zgjidhje përmes dialogut”, tha Grabovci.

Mirëpo, deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës sërish janë rikthyer në sallë, në një tentim për të rifilluar sërish seancën.

Gazetari i Top Channel, Vlamir Klaiqi ka thënë se situatë e tensionuar është edhe jashtë godinës së Kuvendit, ku protestuesit janë përplasur me policinë. Fillimisht protestuesit kanë hedhur shashka, ndërsa më pas edhe mjete të forta.

23:50 – Fillon seanca, opozita hedh sërish gaz lotsjellës

Seanca e ndërprerë e Kuvendit të Kosovës ka rinisur pak para mesnatës me praninë e policëve të shumtë civile, të cilët ishin ftuar për të siguruar mbarëvajtjen e seancës.

Mirëpo, sapo kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka filluar të lexojë rendin e ditës, deputetët opozitarë kanë filluar t’i bien bilbilave, ndërsa më pas kanë hedhur sërish gaz lotsjellës.

Pavarësisht kësaj, Veseli nuk ka pranuar që të ndalojë seancën duke vazhduar me leximin e rendit të ditës.

Situata është tensionuar sërish, teksa opozitarët kanë filluar ta quajnë “kriminal” kreun e Kuvendit.

23:35 – Përfundon mbledhja e Kryesisë

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli ka deklaruar se seanca do të vazhdojë për 20 minuta, ose pak para se ora të shënojë 00:00.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Vetëvendosjes në këtë mbledhje, deputetja Aida Dërguti ka thënë se në këtë takim është kërkuar që seanca të vazhdojë me policë brenda në sallë, çka sipas saj lë mundësinë e hapur për ndërhyrje.

Dërguti deklaroi se vendimi është marrë me shumicë votash dhe se ajo ka qenë e vetmja që ka votuar kundër.

Nuk ka vonuar shumë dhe policë të shumtë kanë hyrë në sallën e Kuvendit me qëllim për të garantuar sigurinë.

Top Channel