Protestat para Kuvendit, arrestohen dy persona

24/10/2015 02:20

Aktivistë dhe përkrahës të partive opozitare kanë protestuar për shumë orë para hyrjes së Kuvendit të Kosovës derisa brenda mbahej seanca e tensionuar dhe objekti ishte i rrethuar me forca speciale të Policisë së Kosovës.

Paralelisht me veprimet brenda Kuvendit vepronte edhe turma jashtë. Fillimisht protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në oborr të Kuvendit, për çka forcat policore nuk kanë reaguar.

Daljet e deputetëve të opozitës herë pas here inkurajonin turmën. Por, situata u përshkallëzua rreth orës 23:00 kur brenda ambienteve të Kuvendit janë futur forca policore. Protestuesit hodhën koktej molotovi dhe gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Forca të shumta speciale kanë larguar turmën me gaz lotsjellës dhe me makina të blinduara në rrugicat e kryeqytetit deri në lagjen “Kodra e Diellit”. Gjatë ikjes, protestuesit i kanë vënë zjarrin koshave të  mbeturinave të cilat i kanë vendosur në mes të rrugës.

Ndjekja e protestuesve nga forcat speciale të policisë së Kosovës ka vazhduar deri rreth orës 01:00, kur edhe janë shpërndarë të gjithë.

Gjatë aksionit të policisë pati edhe arrestime. Edhe pas orës 01:00 forcat speciale kanë qëndruar në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe brenda hapësirave të Kuvendit dhe Kryeministrisë.

Në këtë shesh nuk është lejuar asnjë person tjetër përveç mediave, me ç’rast u pa edhe arrestimi i dy të rinjve të cilët po qëndronin ulur pranë sheshit.

Top Channel