Kosovë-BE, nënshkrimi i MSA-së më 27 tetor

24/10/2015 00:00

Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian më 27 të këtij muaji në Strazburg. Kryeministri Isa Mustafa e cilësoi këtë si njohje të BE-së për Kosovën.

“Me këtë marrëveshje po përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës, në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Europian dhe ne zhvillojmë negociata me BE-në në procesin e anëtarësimit tonë në union. Në një formë përkuziohet edhe njohja dhe rolin që BE do të ketë ndaj Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Ndërsa ministri i Integrimit, Bekim Çollaku tha se nënshkrimi i MSA-së ka një rëndësi historike, politike, ligjore dhe ekonomike për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.

“MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, që ofron përspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE”, tha Çollaku.

Në mbledhjen e së shtunës qeveria vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Universitetin e Prishtinës në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Zgjedhjet e parakohshme në UP mendohet të mbahen me 15 shkurt të vitit të ardhshëm. Deri atëherë ne ftojmë rektorin dhe autoritetet e tjera që të vazhdojnë punën në interes të mbarëvajtjes së punës dhe në interes të studentëve”, deklaroi ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Në çështjet jashtë rendit të ditës, kryeministri Isa Mustafa raportoi për vizitën e tij në Madrid të Spanjës, shtet ky që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në cilësinë e kryetarit të LDK-së, ai mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Europiane. Ai tha se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të BE-së, ndërsa shtoi se Kosova është prezantuar si shtet i barabartë me simbolet shtetërore.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi njoftoi se mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të mbahet me 9 nëntor.

Ai u shpreh i bindur se edhe në këtë fazë Kosova do të shënojë sukses duke fituar 2/3-at e votave të shteteve pjesëmarrëse në asamble.

Top Channel