Vritet lideri i Al Kaedës në Siri

24/10/2015 18:55

Një nga liderët më të vjetër të Al Kaedës në Siri është vrarë në një përleshje të armatosur me luftëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në qytetin e Alepos.

Fronti Al Nusra, lëvizja xhihadiste sunite që lufton kundër forcave të qeverisë siriane në luftën civile, konfirmoi vdekjen e Abu Sulaiman al Masri.

Ndërkohë, foto me trupin e tij të përgjakur janë publikuar nga mediat ndërkombëtare online.

Al Masri, emri i vërtetë i të cilit mendohet të jetë Mahmud Maghwari, është një shtetas egjiptian që më parë është dënuar me vdekje në vendin e tij për faktin se ka luftuar përkrah militantëve të Hamasit në Gaza.

Më herët, xhihadistit i ishte dashur të priste disa gishta të dorës për shkak se i ishin dëmtuar rëndë në një betejë. Vdekja e tij konsiderohet si një goditje serioze për operacionet e grupit terrorist në vendin e Lindjes së Mesme.

Fronti Al Nusra së fundmi ka luftuar përkrah një aleance të njohur si Jaish al Fath, duke i mundësuar grupit që të marrë nën kontroll qytetin veri-perëndimor të Idlibit.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë më tej se, qeveria ruse ka ndërruar kursin e strategjisë së saj ushtarake në Siri.

Sipas tyre, presidenti Putin ka kërkuar mbajtjen e bisedimeve mes Ushtrisë Çlirimtare Siriane, njësi aleate e Shteteve të Bashkuara, dhe regjimit aktual sirian, të udhëhequr nga presidenti Bashar al Assad, i cili pak ditë më parë vizitoi Moskën. 

FOTO GALERI
1/3

Top Channel