Podgoricë, sulmohet Ambasada shqiptare

24/10/2015 21:05

Opozita malazeze nisi protestat kundër qeverisë në përfundim të ultimatumit, që Fronti Demokratik, parti e mbështetur nga serbët që banojnë në Malin e Zi, i vendosën Gjukanoviçit.

Pak minuta para nisjes së protestës në sheshin para Parlamentit të Malit të Zi në Podgoricë, një grup personash me flamuj të Serbise dhe slogane, të cilat sipas medieve malazeze janë cilësuar çetnike, sulmuan me gurë Ambasadën e Shqipërisë.

Policia malazeze mori menjëherë në mbrojtje ndërtesën e Ambasadës shqiptare, e cila sulmohet dy herë brenda një kohe të shkurtër. Lajmi për sulmin u njoftua në llogarinë e Tëitterit të qeverisë malazeze, ku bëhej e ditur se kishte vetëm dëmtime të vogla fizike në fasadën e ndërtesës.

Menjëherë pas sulmit reagoi ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, që nënvizoi ambiciet euroatlantike të Malit të Zi dhe cilësoi si të papranueshëm sulmin.

Qeveria malazeze e cilësoi grupin e sulmuesve si huliganë. Pas këtij incidenti, turma që sipas medieve malazeze shkonte deri në 5 mijë persona, ka marshuar në rrugët kryesore të Podgoricës, drejt sheshit “Republika” e më tej para Parlamentit.

Sipas gazetarit tonë Ardi Hoti, që po ndiqte nga afër protestën, turma tentoi të hynte në selinë e Parlamentit, por u zmbraps nga ana policisë malazeze, e cila ishte me forca të shtuara.

Në një intervistë dhënë për Top Channel pak ditë më parë, një nga krerët e Frontit Demokratik, Milan Knezeviç, protesta bëhet për gjendjen ekonomike të Malit të Zi dhe kundër regjimit dhjetëravjeçar të Gjukanoviçit. Ai kërkoi që shqiptarët e Malit të Zi mos ta votojnë më Gjukanoviçin. Por, në protestën e radhes së opozitës në Malin e Zi, sërish dëgjohen thirrje kundër Kosovës dhe u shfaqën simbole çetnike.

Ndërkohë, qeveria e Malit të Zi, por edhe deputetët shqiptarë e komentojnë protesten si të nxitur nga faktorët, që nuk e duan Malin e Zi në NATO. Sipas tyre, tensionimi vjen në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim nga ky vend në NATO.

Top Channel