Tirana zyrtare dënon sulmin, Bushati në kontakt me homologun Lukshiç

24/10/2015 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar ndaj sulmit të verifikuar mbrëmjen e së shtunës ndaj ambasadës shqiptare në Podgoricë.

“MPJ dënon sulmin e sotëm ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë nga demonstrues huliganë”, thuhët në një reagim për mediat.

Dikasteri numër një i diplomacisë shqiptare i bën thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së ambasadës.

“Kjo, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrjë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë”, vijon njoftimi.

Ministria e Jashtme nënvizon më tej se Shqipëria do të vijojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit.

“Përkushtimi ndaj vlerave euro-atlanike është i panegociueshëm dhe nuk do të frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë”, vijon njoftimi.

Në të saktësohet më tej se shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij malazez, Igor Lukshiç.

Top Channel