Bayern regjistron fitoren e 1.000-të; bavarezët, fitore me “poker” ndaj Koln

24/10/2015 00:00

Bayern ka mposhtur me një “poker” Koln, këtë javë të Bundesligës, duke regjistruar fitoren e 1 mijtë në historinë e kampionatit të vendit.

Kanë qenë Robben, Vidal, Lewandowski dhe Muller që kanë shënuar ndaj ekipit rival. Me këtë fitore, bavarezët ngjiten në 30 pikë, të ndjekur nga Dortmund me 10 pikë më pak.

Për Robben ishte goli i parë në ndeshjen e kthimit, pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti jashtë fushe.

“E pabesueshme, fenomenale! Çdo trajner në botë e di sesa e vështirë është të fitosh ndeshje. Por 1.000? E pabesueshme!”, ka komentuar trajneri Pep Guardiola rezultatin e arritur.

Ndërkohë, mbështetja ndaj tij sa vjen e forcohet. “Pep është një trajner i madh. Na pëlqen të gjithëve të punojmë me të. Por në fund është vendimi i tij nëse do qëndrojë ose jo”, është shprehur Robben.

“Mendimi i skuadrës është i qartë, ne duam që Pep të rinovojë. Këtë ia kam thënë në sy”, ka thënë edhe kapiteni Philipp Lahm.

Ndërkohë, në takimet e tjera të luajtura këtë të shtunë bie në sy përmbysja e papritur e Leverkusen ndaj Stuttgart nga 1-3 në 4-3.

Top Channel