Tony Blair kërkon ndjesë, 12 vite pas luftës në Irak

25/10/2015 00:00

Në një lëvizje, që mendohet se ka një simbolikë të veçantë, ish-kryeministri britanik Tony Blair, për herë të parë pas 12 vitesh kërkon ndjesë për luftën në Irak dhe këtë e bën në një stacion televiziv amerikan.

Në intervistën dhënë “CNN”-it, Blair ka bërë “mea culpa”-n e tij dramatike për fillimin e luftës në Irak dhe ka pranuar se, ai mundet të fajësohet pjesërisht për daljen në skenë të Shtetit Islamik.

Pyetjes se, a ishte lufta në Irak një gabim, Blair iu përgjigj: “Unë kërkoj ndjesë për faktin se, të dhënat sekrete që kishim marrë ishin të gabuara”.

Ndjesa e Blairit ndodh një javë, pasi gazeta britanike “The Mail on Sunday” botoi një dokument të Shtëpisë së Bardhë, ku zbulohej për herë të parë sesi ish-kryeministri britanik dhe ish-Presidenti amerikan, Tony Blair dhe George W. Bush kishin rënë dakord për një marrëveshje mes tyre një vit përpara pushtimit të Irakut.

Po ashtu, kjo intervistë jepet edhe përpara publikimit të raportit të hetimit, që është duke u kryer në Britani për luftën në Irak, i cili mendohet se mund të jetë mjaft kritik për rolin e Blairit.

Kritikët e tij thonë se, ndjesa e kërkuar nga Toni Blair përpara këtij raporti, është pjesë e mjeshtërisë së tij në marrëdhëniet me publikun.

Ndërkohë, mbështetësit e Blairit dhe Bushit e justifikojnë ndërhyrjen në Irak, edhe pse jo publikisht, me argumentimin se ajo luftë realisht nuk ishte për më shumë demokraci, sesa për sigurimin e burimeve të jashtëzakonshme të naftës në atë pjesë të botës.

Top Channel