Zgjedhjet parlamentare në Poloni, konservatorët presin të rikthehen në pushtet

25/10/2015 00:00

Polakët u janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare, që konservatorët shpresojnë fort se do t’i rikthejnë në pushtet pas 8 viteve të kaluara në opozitë.

Sondazhet e opinionit e vendosin partinë “Ligj dhe drejtësi” të Jaroslaw Kaczynskit (Kaçinskit) shumë përpara “Platformës qytetare” të kryeministres Ewa Kopacz (Kopaç). “Ligj dhe drejtësi” arriti të rimerrte edhe Presidencën në muajin maj, kur zgjedhjet atëhere i fitoi Andrzej Duda.

Korrespondentët e huaj thonë se, polakët janë të pakënaqur me atë, që e shohin si mungesë të perspektivës e pasiguri për të ardhmen, ndërsa ndiejnë se, të mirat janë shpërndarë në mënyrë të padrejtë.

Pjesën më të madhe të mbështetjes, partia e Kaczynskit e gëzon në zonat rurale dhe prej individëve, që janë shumë pranë kishës së fuqishme katolike të vendit.

“Platforma qytetare”, nga ana tjetër, është pllakosur nga një seri skandalesh të njëpasnjëshme, që përfshinë vitin e kaluar disa prej ministrave të qeverisë së saj.

Top Channel