Rivitalizimi i urës së Ibrit, Bahtiri: Po bashkon Mitrovicën

25/10/2015 00:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka thënë se Mitrovica po bashkohet, me rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër dhe me largimin e barrikadave në këtë qytet.

Madje sipas tij, me ardhjen e tij në pushtet në komunën jugore dhe të Goran Rakiçit në atë veriore, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë duke u normalizuar edhe më shumë, pasi Bahtiri thotë se të dy kryetarët janë duke u angazhuar për një gjë të tillë.

Këto deklarata, kryetari i Mitrovicës Jugore i ka dhënë në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Bahtiri ka thënë gjithashtu se, Suhodolli do të mbetet nën administrimin e komunës jugore, ashtu siç parashikohet edhe në planin e Ahtisaarit.

Për më tepër, ai ka thënë se nëse kërkohet të tejkalohet plani i Ahtisaarit, ai do të kërkojë që çdo vendbanim me shqiptarë në veri të kalojë nën administrimin e komunës që ai drejton.

Top Channel