Kosovë, policia: Shtohen frikshëm aksidentet rrugore

25/10/2015 00:00

Statistikat e Policisë së Kosovës mbi gjendjen e sigurisë në Prishtinë, ofrojnë të dhëna mjaft shqetësuese, kryesisht për shkak të shtimit të aksidenteve rrugore, por edhe për përleshje ndërmjet njerëzve, që përfundojnë me lëndime të rënda.

Gjatë nëntëmujorit (Janar-Shtator) të këtij viti ndodhën 5788 aksidente, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin vetëm 5589 aksidente rrugore. Këto statistika të frikshme janë për aksidentet e ndryshme të ndodhura në çdo aks rrugor të vendit.

Sipas të dhënave të policisë, të premten e kësaj jave, më 23 tetor ndodhën 77 aksidente në trafik, prej të cilave 27 ishin me të lënduar. Për mosrespektim të rregullave të qarkullimit rrugor, policia ka gjobitur 729 drejtues mjetesh. Gjithashtu janë arrestuar 16 persona, kurse në paraburgim kanë qenë 13 të tillë.

Sipas ekspertëve, numri i lartë i aksidenteve automobilistike në Kosovë vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të sigurisë rrugore.

Analisti për çështjet e sigurisë, Naim Maloku mendon se, nuk janë tejkaluar kufijtë e një gjendjeje të menaxhuar sa i përket sigurisë në Kosovë, përveç problemeve të sigurisë sikurse në çdo shtet tjetër, por, sipas tij shqetësuese mbeten aksidentet në komunikacion, raporton “Telegraf”.

Top Channel