Kosovë, përurohet segmeti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”

25/10/2015 00:00

Me anë të një ceremonie të mbajtur të dielën është inauguruar segmenti i parë i autostradës “Arben Xhaferi”, e cila do të lidhë Prishtinën me Shkupin dhe do të ketë gjatësi 60 km.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin krerët institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilët e vlerësuan një ndër projektet më të mëdha dhe jetësim të figurës së Arben Xhaferit.

“Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, na lidh edhe me vendet e tjera. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Është projekt i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 600 milionë euro, mirëpo është një vepër tepër e rëndësishme për ne, sepse do të përfitojnë qytetarët tanë, do të përfitojë ekonomia dhe lidhjet tona me shtetet fqinje dhe miqtë tanë.  Ne kemi arritur një marrëveshje shumë të rëndësishme me FMN, e cila do të na mundësoj që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin. Në këtë autostradë do ta lidhim me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do ta bëjmë lidhjen për Nish”, u shpreh Kryeministri i Kosovës, Mustafa.

“Urime të gjitha institucioneve të Kosovës dhe të popullit të Kosovës për këtë projekt madhështor dhe monumental për Republikën e Kosovës, për qytetarët e Kosovës dhe për gjithë rajonin”, tha Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa shtoi se është planifikuar që autostradë të ketë edhe deri në Mitrovicë dhe do të rikonstruktohet lidhja hekurudhore nga Hani i Elezit deri në Leshak.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, Hashim Thaçi si ish-kryeministër vuri bazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës me përfundimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, ndërsa teksa ka lavdëruar punën e Kryeministrit Isa Mustafa tha se kjo vepër kombëtare është vazhdim i bashkëqeverisjes.

“Ne lidershipi i institucioneve kosovare dhe gjithë qytetarët e Kosovës dëshirojmë të ju falenderojmë  dhe të zotohemi se Republika e Kosovës është një investim i përbashkët, i cili do të ketë sukses në rrugën e integrimeve europiane dhe zhvillimit të regjionit. Nuk ka forcë që na ndalon në rrugën e përbashkët të integrimeve veri atlantike të gjithë neve bashkërisht. Prandaj Republika e Kosovës është sinonim i shtetit ligjor, i zhvillimit ekonomik dhe në asnjë moment nuk do të jetë as vatër e vogël përkrahëse, as e terrorizmit, as e krimit të organizuar, as e anarkisë”, deklaroi Veseli.

Punën e bërë në këtë autostradë e vlerësuan si të rëndësishme për zhvillimin ekonomik në Kosovës edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe ambasadorja e Turqisë, Kivilicim Kiliç, ambasadorë të vendeve nga ku vijnë kompanitë e kontraktuara për ndërtimin e autostradës, Bechtel Enka.

“Është me rëndësi të theksohet kontributi i rëndësishëm që ndërtimi i kësaj rruge po i jep ekonomisë së Kosovës.  80% e gjithë të punësuarve në rrugën  “6” janë nga Kosova, 1200 punëtorë kosovarë po i përmirësojnë aftësitë e tyre dhe po fitojnë pagë të mirë përmes punësimit këtu. Gjysma e materialit të përdorur për ndërtimin e kësaj rruge sigurohet nga ndërmarrjet lokale përmes tenderëve konkurrues, kështu ndërmarrjet kosovare po i ndërtojnë kapacitetet e tyre dhe rrisin ekspertizën. Gjithashtu po krijojnë vende pune dhe konkurrencë në sektorin privat. Po ashtu për çdo euro të shpenzuar në rrugën “6”, 65 cent i kthehet ekonomisë kosovare përmes nënkontratave, pagave të të punësuarve në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe përmes tatimeve”, tha Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

“Kjo punë që ne po inaugurojmë sot është edhe një shembull tjetër i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit të suksesshëm të kompanive turke dhe amerikane që punojnë së bashku. Njëkohësisht ky bashkëpunim është një shembull tjetër i shkëlqyer i marrëdhënieve shumë të mira mes Kosovës dhe Turqisë, të cilat do të vazhdojnë edhe më tej. Miqësia jonë është e fuqishme dhe aleanca jonë do të vazhdojë përgjatë viteve të tëra”, tha Kivilicim Kiliç, ambasadore e Turqisë në Kosovë

Përveç një postimi në “Facebook nga zëvendëskryeministri Thaçi dhe një njoftimi të shkurtër në faqen e Ministrisë së Kulturës, axhenda dhe pjesëmarrësit e kësaj ceremonie nuk ishin bërë publike më herët.

Top Channel