Rritet në 90% popullariteti i Putinit, ekspertët: E çuditshme!

25/10/2015 00:00

Kryeministri i porsazgjedhur i Kanadasë, Justin Trudeau, mund të jetë udhëheqësi më i pashëm sot për sot në botë, por nëse pyesni veten ‘kush është më popullori nga të gjithë mes shtetasve të tij’, do të habiteni nga përgjigjja.

Fituesi i padiskutueshëm i konkursit do të shpallej menjëherë Vladimir Putin. Të paktën kështu rezulton nga sondazhi i publikuar prej qendrës kërkimore ruse “VTsIOM”, e financuar prej ekzekutivit, e cila pretendon se preferenca për shefin e Kremlinit në popull është pothuajse në nivelin 90%.

Në deklaratën për shtyp të lëshuar me këtë rast sqarohej se, përllogaritja e fundit e popullaritetit të Presidentit rus ishte realizuar në qershor e tregonte edhe atëherë një shifër aspak të vogël prej 89,1 %.

Argumentet janë se, që prej aneksimit të Krimesë, niveli i aprovimit për Putinin u rrit ndjeshëm, duke kapërcyer shumë shpejt 80 përqindëshin. E çuditshme – thonë ekspertët, – ta besosh se një gjë e tillë mund të ndodhë vërtet, në një vend ku ekonomia po fundoset, inflacioni është rritur me 12% dhe me pagat reale blihen gjithmonë e më pak artikuj, çdo ditë që kalon.

Por, me sa duket, arti i shpërqëndrimit nuk dështon kurrë. Dhe në lëvizjet e tij mjeshtërore për të shfrytezuar mes të tjerash dhe kartën e patriotizmit, Presidenti rus arriti të gjejë armikun e brendshëm “ekstremizmin islamik”, që – siç thuhet, – i ka sjellë vendit së fundi plot kërcënime terroriste, potencialisht vdekjeprurëse, e të cilin tanimë e lufton edhe jashtë kufijve, duke iu bashkuar konfliktit në Siri.

Top Channel