Kriza e refugjatëve, Rama: Mundësi për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë

25/10/2015 17:35

Shqipëria do të mund të bëhej pjesë e korridorit ballkanik për kalimin e refugjatëve drejt Europës, me afrimin e dimrit, në rast të devijimit të rrugëve nga Greqia. Këtë mundësi e përmendi dhe kryeministri Edi Rama në nisje të minisamitit europian në Bruksel, kur u pyet nga Top Channel se pse u ftua edhe Shqipëria në këtë tryezë.

“Shqipëria nuk është e prekur ende. Besohet se me ardhjen e dimrit ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë, por gjithsesi, arsyeja pse ne jemi këtu ka të bëjë me domosdoshmërinê për t’u koordinuar në nivel rajonal dhe europian, e Shqipëria ka rolin e vet në këtë moment kaq delikat dhe kaq të rëndësishëm për atë që jemi dhe për atë që do të jemi nesër të gjithë së bashku si europian”, deklaroi Rama.

Vendet pjesëmarrëse po diskutojnë mbi trajtimin e përbashkët të sfidës së refugjatëve, duke u angazhuar për shkëmbimin e rregullt të informacioneve dhe pritet të miratojnë konkluzione të përbashkëta. Drafti paraprak, i siguruar nga Top Channel, përmban 16 pika për mënyrën e strehimit të refugjatëve dhe mbështetjes ndaj tyre, për menaxhimin e fluksit por dhe të kufijve, monitorimin e përjavshëm dhe luftën ndaj trafikut të qënieve njerëzore.

Vendi ynë përmendet vetëm në një paragraf të pikës 13 të draft-konkluzioneve, ku flitet për “ngritjen e një ekipi operacional të FRONTEX në kufirin e jashtëm tokësor të Greqisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë, me fokus për të kontrolluar daljet, por dhe regjistrimin e refugjatëve dhe emigrantëve të paregjistruar ende” në shtetin helen.

Për Kroacinë, duket problematike pika 12 e draft-konkluzioneve, ku “udhëheqësit angazhohen për të frenuar lehtësimin e lëvizjes së refugjatëve apo emigrantëve drejt kufirit të një vendi tjetër të rajonit pa një marrëveshje me këtë vend. Politika e kalimit të fluksit të refugjatëve ndaj vendit fqinj është e papranueshme”, thuhet në draftin paraprak të konkluzioneve dhe sipas kryeministrit kroat Zoran Milanoviç “po të respektohej një gjë e tillë atëherë Kroacia nuk do të kishte probleme si vend i katërt i këtij korridori. Deklaratat politike -shtoi ai- nuk zgjidhin gjë”.

Kancelarja gjermane, Merkel, përsëriti se ajo e “sheh zgjidhjen përmes bashkëpunimit me Turqinë”, një vend i paftuar në këtë tryezë, nga i cili vjen dhe numri më i madh i refugjatëve sirianë. Merkel tha se “duhet forcuar kontrolli i kufijve të jashtëm të BE-së”, siç parashikohet në draftin paraprak.

Më i relaksuar nga të gjithë ishte kryeministri Victor Orban, pasi Hungaria ka vendosur gardh rrethues me të gjithë fqinjët jugor dhe nuk pret më refugjatë. Ai kritikoi të tjerët se “nuk po i përmbahen detyrimeve përkatëse për respektimin rregullave të marrëveshjes ‘Schengen’” dhe përsëriti propozimin e tij për mobilizimin e Unionit “në mbrojtjen e kufijve të Greqisë, si e vetmja zgjidhje definitive ndaj situatës”.

Më dramatik u shfaq kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, vend i të cilit u përfshi në këtë krizë vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit, pasi Hungaria mbylli kufijtë me Kroacinë. Ai tha se “nëse nuk gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse europiane, rrezikohet dhe shpërbërja e Bashkimit Europian”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel